Kopshti “Zarife Hasanaj” në Kamëz, riparohet falë programit “EU4Schools”
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP Albania) bën me dije se tashmë kopshti “Zarife Hasanaj” në Paskuqan, Kamëz, është rihapur falë riparimit në kuadër të Programit “EU4Schools” (“BE për Shkollat”).
“Fëmijët e kopshtit “Zarife Hasanaj” në Paskuqan, Kamëz, janë rikthyer tashmë në kopshtin e tyre të riparuar falë Programit “EU4Schools”, në mjedise shumë herë më të mira nga ç’kanë qenë më përpara, më të sigurta, më moderne dhe sipas standardeve më të mira evropiane”, shkruhet në publikim ndërsa nënvizohet se:
“250 fëmijë, 10 edukatore dhe rreth 19,000 banorë të komunitetit të Paskuqanit janë edhe përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij investimi që është garancia më e mirë për të ardhmen duke ofruar kushte tejet dinjitoze pikërisht ashtu sikurse fëmijët e meritojnë”.
Kopshti “Zarife Hasanaj” është pjesë e Programit “EU4Schools”, financuar nga BE me 75 milion Euro dhe zbatuar nga #UNDP, falë të cilit po rindërtohen/riparohen 63 objekte arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrues dhe ku përfitojnë në total rreth 24,000 fëmijë, nxënës e mësues, duke u siguruar atyre mjedise të standardeve më të larta për arsim cilësor pikërisht si në vendet e Bashkimit Evropian.