Korça çel verën me një shpërthim ngjyrash dhe emocionesh, karnavalet rikthejnë magjinë e festës së stinës festive
Albert Vataj
Korça u vesh me ngjyra, muzikë dhe maska mbrëmjen e djeshme, duke çelur zyrtarisht sezonin veror me edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavalit, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe turistike të qytetit. Kryebashkiaku Sotiraq Filo, përmes një fotoalbumi të publikuar në rrjetet sociale, e përshkroi atmosferën si një “energji e jashtëzakonshme”, duke theksuar rolin e festivalit në promovimin e Korçës si një destinacion kulturor dhe turistik të klasit të parë.
“Ngjyra, muzikë, maska dhe një energji e jashtëzakonshme! Mbrëmë Korça çeli sezonin veror me edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavalit, një festë e vërtetë në rrugët e qytetit”, – shkruan Filo.
Trupa artistike nga Bullgaria, Polonia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria sollën performanca mahnitëse, duke kthyer bulevardin kryesor të qytetit në një skenë të hapur, ku çdo hap ishte ritëm dhe çdo fytyrë – një vepër arti. Me kostume të larmishme, koreografi të kuruara dhe ngjyra të ndezura, parada e karnavaleve u bë një spektakël që mbërtheu vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve të shumtë.
Atmosfera festive ishte ndërthurje e artit, trashëgimisë kulturore dhe shpirtit të gjallë të komunitetit. Qindra pjesëmarrës, të të gjitha moshave, u bënë pjesë e kësaj feste të jashtëzakonshme, që si çdo vit tejkaloi kufijtë lokalë dhe u shndërrua në një ngjarje ndërkombëtare.
“Faleminderit të gjithëve që ishin pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë. Do të vazhdojmë të punojmë për një qytet gjithnjë e më të gjallë dhe mikpritës,” – përfundoi Filo, duke lënë të hapur premtimin për edicione të tjera po aq mbresëlënëse.
Korça, qyteti i serenatave dhe kulturës, edhe një herë dëshmoi se di të festojë me stil dhe pasion, duke e kthyer verën në një ftesë për të gjithë ata që kërkojnë përjetime autentike dhe gëzim të pastër. Karnavalet nuk janë thjesht një traditë – janë një manifestim i shpirtit të këtij qyteti që nuk ndalet së rrezatuari jetë, ngrohtësi dhe mikpritje.
KOHA JONË SONDAZH

