Koreja e Veriut pranon takim zyrtar me Jugun pas 2 vitesh
Zyrtarë nga regjimi i Kim Jong-ut dhe qeverisë së Seul-it do të takohen në zonën e çmilitarizuar javën e ardhshme.
Koreja e Veriut ka rënë dakord me ofertën e Koresë së Jugut për të zhvilluar bisedime javën e ardhshme, në atë që do të jetë kontakti i parë i nivelit të lartë midis dy vendeve për më shumë se dy vjet. Bisedimet e para që nga dhjetori 2015 do të zhvillohen në Panmunjom, fshati ku ndodhet zona e çmilitarizuar mes dy vendeve dhe bisedimet vijnë në mes të shqetësimeve ndërkombëtare rreth programeve të raketave balistike dhe programeve bërthamore të Koresë së Veriut.
Diskutimet, që do të mbahen në Shtëpinë e Paqes në anën e Koresë së Jugut të Panmunjom, fillimisht do të përqëndrohen në pjesëmarrjen e mundshme të Koresë së Veriut në Olimpiadën Dimërore të muajit të ardhshëm në Korenë e Jugut. Por zyrtarët, identitetet e të cilëve ende nuk janë konfirmuar, gjithashtu do të diskutojnë se si të përmirësojnë lidhjet e përgjithshme pas një viti në të cilin Korea e Veriut ka ngritur tensionet në rajon me një sërë lëshimesh të raketave dhe me testin e saj të gjashtë dhe më të fuqishmin bërthamor.
Pheniani njoftoi Seulin se ka pranuar ofertën e bisedimeve në Panmunjom nëpërmjet faksit të premten në mëngjes, sipas ministrisë së bashkimit të Koresë së Jugut. “Të dy palët vendosën të diskutojnë çështje të nivelit të punës duke shkëmbyer dokumente,” tha Baik Tae-hyun, një zëdhënës i ministrisë, në një konferencë shtypi, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap. Njoftimi erdhi disa orë pasi SHBA ranë dakord të shtyjnë ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Jugun deri pas Lojrave Dimërore, të cilat do të zhvillohen 50 milje në jug të kufirit të Koresë së Veriut më 9 shkurt.
Donald Trump dhe presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, ranë dakord në një telefonatë të enjten në mbrëmje që stërvitjet në shkallë të gjerë të mbahen pas Lojrave. Koreja e Veriut i konsideron ushtrimet e përbashkëta ushtarake si një provë për pushtimin dhe i ka përmendur shpesh ato si një pengesë për ndonjë ngrohje të mundshme të lidhjeve ndër-koreane.
Pak kohë para se bisedimet te njoftoheshin, Trump u përpoq të merrte meritat për këtë zhvillim, duke shkruar në Twitter: “Me të gjitha komentet e ekspertëve të dështuar”, a beson dikush vërtet se do të kishte bisedime dhe dialog mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut pa qëndrimin tim të fortë ndaj Veriut dhe gatishmërinë për të përdorur forcë kundër tyre.”
Spekulimet se Koretë do të rifillojnë kontaktet ballë për ballë u përhapen në Ditën e Vitit të Ri, kur udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, tha se ishte i gatshëm të diskutonte mundësinë e dërgimit të atletëve në Pyeongchang. Kjo u pasua nga një ofertë e Koresë së Jugut për bisedime dhe rinisje të mërkurën e një linje telefonike ndërkufitare që nuk ishte përdorur që nga fillimi i vitit 2016.
Megjithatë, oferta e Kimit erdhi me një paralajmërim se Pheniani do të vazhdojë zhvillimin e armëve bërthamore si kundërshtim ndaj kërcënimeve nga SHBA. Pretendimi i Kim se butoni bërthamor ishte në tryzenë e tij bëri që Donald Trump të kundërpërgjigjej duke thënë se butoni i tij bërthamor ishte “më i madh” dhe më efektiv, duke rifilluar luftën e fjalëve mes dy liderëve që nisi vitin e kaluar me një stuhi fyerjesh personale.
Departamenti amerikan i shtetit deklaroi se beson se bisedimet e së martës së ardhshme do të kufizohen në çështje dypalëshe dhe nuk do të prekin çështjet e sigurisë. “Mirëkuptimi ynë është se këto bisedime do të kufizohen në biseda rreth Olimpiadës dhe ndoshta disa çështje të tjera të brendshme, jo përtej kësaj”, u tha gazetarëve Heather Nauert, një zëdhënëse e departamentit të shtetit.
The Guardian
KOHA JONË SONDAZH

