Koresë së Jugut, 120 të vdekur pas rrëzimit të një avioni që vinte nga Bangkoku
Të paktën 120 persona humbën jetën mëngjesin e sotëm pas rrëzimit të një avioni ”Jeju Air” që vinte nga Bangkoku, i cili mori flakë gjatë uljes në aeroportin e Muanit të Koresë së Jugut, ndoshta pas një përplasjeje me zogjtë.
“Deri më tani ka dy anëtarë të ekuipazhit të mbijetuar dhe gjithsej 120 të vdekur”, tha departamenti i zjarrfikësve në një njoftim për shtyp.
”Pasagjerët u hodhën nga avioni kur ai u përplas me një pengesë duke u lënë atyre pak mundësi për të mbijetuar”, tha një zyrtar i zjarrfikësve gjatë një takimi me familjet e viktimave.
”Aeroplani është pothuajse tërësisht i shkatërruar dhe identifikimi i të ndjerëve po rezulton i vështirë”, shtoi ai.
Rrëzimi i fluturimit ”JJA-2216” ndodhi në orën 09:03 me orën lokale.
Avioni kishte në bord 181 persona (175 pasagjerë, duke përfshirë dy shtetas tajlandezë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit) midis Tajlandës dhe Muan, një qytet që ndodhet rreth 290 kilometra në jug të kryeqytetit Seul.
“Shkaku i aksidentit dyshohet të jetë një përplasje me zogj të kombinuar me kushtet e pafavorshme të motit”, tha shefi lokal i zjarrfikësve Lee Jeong-hyun në një konferencë shtypi.
Një video e transmetuar nga kanali lokal MBC tregon avionin – një ”Boeing 737-8AS”, i cili hyri në shërbim në vitin 2009, sipas website të specializuar ”Flightradar” – duke u ulur me tym që dilte nga motorët.
Avioni duket se ka goditur një pengesë në fund të pistës dhe është përfshirë menjëherë nga flakët. Pamjet e transmetuara nga kanalet televizive të Koresë së Jugut tregojnë automjete të shumta të shërbimeve të urgjencës dhe dhjetëra zjarrfikës që po punojnë rreth avionit, të djegur plotësisht, përveç bishtit, dhe duke evakuuar trupa të mbështjellë me qese blu në barela.
”Presidenti i përkohshëm i Koresë së Jugut Choi Sang-mok kryesoi një takim urgjent të kabinetit dhe do të udhëtojë në Muan këtë pasdite”, tha zyra e tij.
“Të gjitha agjencitë përkatëse duhet të mobilizojnë të gjitha burimet e disponueshme për të shpëtuar njerëzit”, urdhëroi Choi në një deklaratë.
Ky është aksidenti i parë fatal në historinë e ”Jeju Air”, një nga linjat ajrore më të mëdha të Koresë së Jugut, e themeluar në vitin 2005.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’iu përgjigjur këtij aksidenti. Ne ulim kokën dhe u kërkojmë falje të gjithë atyre të cilët u dëmtuan”, tha kompania në një deklaratë të publikuar në kanalet e saj sociale.
Më 12 gusht 2007, një ”Jeju Air Bombardier Q400” me 74 pasagjerë rrëshqiti nga pista për shkak të erërave të forta në aeroportin e Busan-Gimhae, duke shkaktuar rreth 10 të plagosur.
Aksidentet e avionit janë shumë të rralla në Korenë e Jugut. Më i rëndi ishte përplasja e një ”Boeing 767” të ”Air China” nga Pekini në një kodër pranë aeroportit të Busan-Gimhae, i cili vrau 129 njerëz më 15 prill 2002.
Fatkeqësia më vdekjeprurëse për një kompani mbetet ajo e një ”Boeing 747” të ”Korea Air” që fluturonte nga Nju Jorku në Seul, i rrëzuar nga një avion gjuajtës sovjetik mbi Detin e Japonisë duke shkaktuar vdekja e 246 pasagjerëve dhe 23 anëtarëve të ekuipazhit, më 1 shtator 1983./ a.jor. ATSH