Koronavirusi/ Çomo: Kemi kapacitetet e duhura, janë bërë të gjitha skenarët

Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo thotë se Shqipëria i ka marrë masat sipas standardeve të OBSH-së për koronavirusin që kur ky virus shpërtheu në Kinë. ”Që në momentin që shpërtheu në Kinë u morën masat e para. Pra ardhja në Itali ka sjellë rritje të masave të cilat janë marrë sipas standardeve edhe sipas OBSH-së. Është një ekip i madh që merret. Në vendin fqinjë janë bërë izolime përkatëse. Kemi kaluar në plan masash më të reja. Nëse nuk ke lëvizur jashtë Shqipërie nuk është e mundur të jesh infektuar. Për personat që vijnë nga Italia ka masa të shtuara”.

E pyetur se çfarë vlere kanë masat sepse një njeri mund ta ketë marrë virusin dhe i shfaq shenjat pas 14 ditësh Çomo tha se ”duhet marrë një informacion i detajuar. Nuk është vetëm aeroporti dhe këtu masat mbarojnë, është emergjenca e Tiranës, shërbimi infektiv të përgatitur për këtë situatë”. Ajo tha se në mbledhjen e Task Forcës janë bërë të gjitha skenarët. ”Me mijëra, apo me qindra të prekur dhe në gjykimin tim dhe të kolegëve të mi mijëra është një shifër jo reale. Po i largohemi në mënyrë graduale sezonit të gripit stinor dhe duke ardhur stina e nxehtë do të vijë zbutja edhe e koronavirusit”.

E pyetur mbi kapacitetet që ka në shërbimin infektiv në rast të shpërthimit të një epidemie të koronavirusit, Çomo theksoi se ”ka një plan a që nëse shtrohet një pacient 2, 3, 4 ,5 me koronavirus. Atëherë ndodh një bllokimi i spitalit, pacientet e tjerë shkojnë në shërbime të tjera. Spostohen shërbime të tjera nga ndërtesa e shërbimit dhe natyrisht nëse do të kemi shumë raste me koronavirus i gjithë shërbimi infektiv kalon vetëm në shërbim të këtyre pacientëve”.

E pyetur sesa shtretër ka në dispozicion dhe a ka respiratorë nëse shpërthen epidemi, Çomo pohon se nga 100% persona që sëmuren me koronavirus 98% shërohen. 2% e tyre kalojnë në pjesën e futjes në aparaturë.  ”Jo të gjithë personat do t’i nënshtrohen respiratorit. Sepse gjithë problemi që diskutohet është a ka Shqipëria respirator nëse personat kanë pamjaftueshmëri të aparatit mushkëror. Kjo është një nga simptomat. Ne kemi kapacitet për një grup të caktuar personash. Shqipëria është një vend që i ka kapacitetet për të mbuluar këtë grup popullate që do i duhet, nëse do i duhet për t’u futur në respiracion të drejtuar”.

SHKARKO APP