Koronavirusi e karantina, Qeveria ndryshon buxhetin

Lufta me koronavirusin dhe pasojat që do të sjellë ai në ekonomi ka detyruar qeverinë të ndryshojë buxhetin e shtetit të vitit 2020.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe është publikuar në faqen zyrtare të qeverisë në internet.

Ndryshimet hyjnë menjëherë në fuqi, pasi janë miratuar në formën e një akti normativ që duhet të miratohet brenda 45 ditësh.

Sipas këtij akti normativ shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:
407 205 milionë lekë shpenzime të buxhetit qendror,
16 200 milionë lekë fond rezervë
dhe 4 000 milionë lekë kontingjencë për risqet e borxhit.

Fondi rezervë i buxhetit prej 16 200 milionë lekësh do të përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, si kontingjencë për paketën sociale antiCovid-19 dhe për emergjenca të tjera në kuadër të masave antiCovid 19.

Kontingjenca për risqet e borxhit prej 4 000 milionë lekësh përdoret nga ministri përgjegjës për financat për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa.

Ndërkohë që shuma e garancisë së qeverisjes qendrore nga 11 500 milionë lekë shkon 26 500 milionë lekë. Po ashtu ndryshon edhe stoku i borxhit publik, i cili nga 1 197 139 milionë lekë shkon në 1 212 139 milionë lekë.

SHKARKO APP