Koronavirusi/ FMN paralajmëron depresion ekonomik më të thellë se viti 1930
Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva deklaroi se pandemia e koronavirusit mund të shkaktojë krizën më të thellë ekonomike që nga viti 1930.
Georgieva tha se koronavirusi mund të ndikojë në një ngadalësim ekonomik “të frikshëm”. Ajo shtoi se bota mund të përballet me recensionin më të madh ekonomik, që nga Depresioni i Madh i vitit 1930, raporton BBC.
Ajo ka parashjikuar se në vitin 2021 do të mund të kemi vetëm një “rimëkëmbje të pjesshme”. Bllokimet e vendosura nga qeveritë kanë detyruar shumë kompani të mbyllin dhe pushojnë stafin.
Në fillim të kësaj jave, një studim i Kombeve të Bashkuara tha se 81% e fuqisë punëtore në botë prej 3.3 miliardë njerëzve kishin vendin e tyre të punës të mbyllur plotësisht ose pjesërisht për shkak të shpërthimit të virusit. Georgieva tha këto paralajmërime, përpara takimeve të pranverës të FMN dhe Bankës Botërore të javës tjetër.
Tregjet në zhvillim dhe vendet në zhvillim janë ekonomitë më të goditura, deklaroi ajo. Georgieva ka kërkuar qindra miliarda dollarë ndihmë të huaj. “Vetëm tre muaj më parë, ne prisnim rritje pozitive të të ardhurave për frymë në mbi 160 të vendeve tona anëtare në vitin 2020,” tha ajo.
“Por, sot ky numër është kthyer mbrapsht. Ne projektojmë sot që në mbi 170 vende të botës, të ketë një rritje negative të të ardhurave për frymë këtë vit”. Ajo shtoi: “Në fakt, ne parashikojmë dobësimin më të madh ekonomik që nga Depresioni i Madh”.