Koronavirusi, ish-ministri: S’ka vend për panik
Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu thotë se me rëndësi në lidhje me koronavirusin është marrja e masave. Alarmimin në këtë masë nga shumë vende të botës, Shehu e shikon më tepër si një zhurmë, ashtu siç është bërë edhe me epidemi të tjera si sars-i apo edhe H1N1. ”Për mua nuk ka pse të krijohet panik, jo vetëm për ne. Të tilla epidemi bota ka kaluar shumë herë, zhurmë është bërë shumë. U bë zhurmë për sarsin, u bë zhurmë për H1N1, rëndësi ka të merren masa. Pastaj niveli i përgatitjes dhe i suksesit lidhet me konsolidimin dhe gjendjen e sistemit shëndetësor të çdo vendi”.
Ish-ministri tha se në Shqipëri nuk besohet se do të afektohet ky virus por gjithsesi vendi ynë duhet të përmirësojë sistemin e shëndetësisë. ”Nuk besoj se Shqipëria do të afektohet, por ne duhet të jemi të përgatitur. Duhet të përmirësojmë sistemin shëndetësor që të përballojmë detyrat e përditshme të shëndetësisë dhe të jemi më të gatshëm për të përballuar dhe detyrat më të mëdhaja që mund të ndodhën në ndonjë moment të caktuar”.
Sa i takon teorive konspirative për ti prodhuar vetë këto viruse, Shehu u shpreh se organizata si OBSH -ja nuk argumentojnë diçka të tillë. ”Edhe i dalë nga kafsha, nga mutacioni gjenetik apo nga laboratori ky virus është agresiv, nuk është se bën ndonjë diferencë të madhe. Ajo është përgjegjësia e atyre që e bëjnë. Më shumë janë fantashkencë ose gjëra që qarkullojnë sesa gjëra reale. Unë nuk kam parë ndonjë dokument të OBSH që të argumentojë të tilla gjëra. Unë flas në nivelin e organizimit shëndetësor, masat që duhet të marrin për ta përballuar. Përballimi i epidemive nga një shtet është një provë e madhe për sistemin shëndetësor të tij”.