Koronavirusi, mblidhet komiteti teknik i ekspertëve
Pasditen e sotme është zhvilluar mbledhja e Komitetit Teknik të Ekspertëve pranë Ministrisë të Shëndetësisë, në kuadër të parandalimit të përhapjes së mundshme të koronavirusit në Shqipëri.
Ministrja Ogerta Manastirliu, me anë të një postimi në Facebook, bën me dije se u diskutua me ekspertët e komitetit teknik për masat e shtuara për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit, pas vendimit që hyri sot në fuqi në Itali për izolimin total të zonave të kuqe.
“Po diskutojmë në këto momente me ekspertët e komitetit teknik, për masat e shtuara për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, pas vendimit që hyri sot në fuqi në vendin fqinj për izolimin total të zonave të kuqe. Çdo masë e shtuar dhe vendim që do të merret, do të vendoset nga ekspertët! Deri në këto momente, nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19 në vendin tonë”, shkruan Manastirliu në Facebook.