Koronavirusi në Shqipëri, deklarata e OKB: Po punojmë me autoritetet, jo panik

Ekipi i agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri bëri një deklaratë të martën lidhur me përhapjen e koronavirusit në Shqipëri. Sipas OKB, agjencitë e saj po punojnë me qeverinë dhe autoritetet shëndetësore në Shqipëri nëpërmjet Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri.

Sipas deklaratës së OKB, “Situata kërkon nga të gjithë qytetarët që të ndjekin udhëzimet e dhëna nga autoritetet shëndetësore. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet respektimit të këshillave të higjenës dhe në rast shqetësimesh të kontaktohet me numrin e urgjencës shëndetësore 127”.

Ndërsa lidhur me masat e marra nga qeveria thekson se “masat që janë marrë nga Qeveria janë të nevojshme për të frenuar përhapjen e virusit. Në këtë situatë, me rastet e para të COVID-19 të konfirmuara në Shqipëri është normale që njerëzit të shqetësohen, por për sa kohë që aplikohen masat e këshilluara, nuk ka arsye për të pandikuar”, thuhet nga deklarata e OKB.

Në deklaratën e agjencive të OKB në Shqipëri, jepen dhe disa rregulla që duhet të zbatohen për mbrojtjen nga Koronavirusi. 

Sipas udhëzimimeve të OBSH-së, OKB Shqipëri këshillon si më poshtë:

INFORMOHUNI: është shumë e rëndësishme që njerëzit të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me sëmundjen, mënyrën se si transmetohet virusi dhe si mund të mbahet në kontroll.

TREGONI KUJDES: Tregoni kujdes, por mos u përfshini nga paniku. Mbroni veten, familjen tuaj dhe të tjerët nga infektimi dhe nëse keni temperaturë dhe kollë kontaktoni autoritetet e shëndetit për të marrë ndihmën e nevojshme.

JINI VIGJILENT: Përdorni informacionin që keni marrë për të parandaluar marrjen e rreziqeve të panevojshme që mund t’ju ekspozojnë ndaj virusit.

JINI TË SJELLSHËM: Tregoni mirëkuptim dhe jini të sjellshëm me njerëzit e tjerë. Askush nuk dëshiron të infektohet, por nëse kjo ndodh, bëhuni mbështetës dhe dashamirës ndaj situatës së një personi tjetër. Të drejtat e secilit duhet të respektohen. Në të njëjtën kohë sigurohuni që të merren të gjitha masat mbrojtëse.

SHKARKO APP