Koronavirusi në Shqipëri, Enver Roshi: Vendi ynë i ka kapacitetet për të përballuar situatën
Epidemiologu dhe doktori i shkencave, Enver Roshi, i ftuar në studion e “Ditari” në A2, u shpreh i bindur se Shqipëria i ka kapacitetet për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi.
“Nëse shikojmë shifrat italiane, 20% kanë pasur nevojë për shtrim, ndërsa 10% kanë pasur nevojë për reanimacion. Unë besoj se me masat e marra, Shqipëria i ka kapacitetet për të përballuar pacientët që duan shërbim në reanimacion. Nëse respektohen me rigorozitet masat nga qytetarët, situata do të përballohet. Nëse jo, sistemi do të kalojë në kolaps, siç i ndodhi edhe një vendi të zhvilluar si Italia”, theksoi Roshi.
Sipas epidemiologut, masat e rrepta për lëvizjen e lirë duhen respektuar pasi “nëse nuk ke kontakt me burimin e infeksionit, virusi nuk merret”.
Gjithashtu, Roshi nënvizoi se nuk duhet të kemi frikë nga skenari italian pasi “kemi moshë më të re mesatare sesa ajo e Italisë, vetëm 13% janë persona të moshës së tretë në Shqipëri, në krahasim me 25% në Itali”.
Kur u pyet se sa mund të jetë numri i të prekurve në vendin tonë nga Covid-19, Roshi deklaroi: “Numri total i të prekurve presim që të mos kalojë, sipas mendimit tim, 150-200 raste. Por, masat e marra duhet t’i zbatojmë rigorozisht që të mos e humbasim ndeshjen në minutën e fundit. Që nga rasti i parë në Kinë në dhjetor 2019 dhe përhapja e saj jashtë Kinës, mendoj se shpallja e pandemisë duhet të ishte bërë më parë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Izolimi në kohë do të bënte të mundur që ne të mos përballeshim me situatën e sotme. Duhej bërë bllokimi i daljeve nga Kina që kur dolën rastet e para. Por, masat që tashmë kemi marrë do të bëjnë që personat që do të kenë nevojë për trajtim intensiv të jenë më pak”.
“Pritet që piku i epidemisë të jetë në këtë 10-ditësh dhe më pas do të jetë një kurbë në ulje e epidemisë. Shifra 51 është e pranueshme për mendimin tim, edhe pse pritet një rritje e rasteve në ditët në vijim”, shtoi Roshi.