Koronavirusi prek ekonominë, luhatje në vlerat e monedhave dhe në çmimin e karburantëve
Bllokada e krijuar nga koronavirusi javët e fundit ka shkaktuar luhatje të forta në kursin e këmbimit të monedhave kryesore në raport me lekun. Paundi britanik ka pësuar zhlverësim me katër pikë ndërsa euro dhe dollari kanë forcuar pozitat e tyre. Ekspertët mendojnë se forcimi I dollarit lidhet me besueshmërinë e ekonoisë amerikane ndërsa luhatje të forta ka pasur edhe në çmimet e shitjes në pikat e karburanteve për shkak të rënies së kërkesës për naftë.
Monedha europiane e ka mbyllur javën duke shënuar rritje dhe duke u shkëmbyer me 123.03 lekë.
Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, javën e fundit paundi britanik ka qenë ndër valutat më të prekura duke shënuar një rënie prej rreth 4 pikësh pasi është këmbyer me 130.51 lekë.
Dollari amerikan ndryshe nga monedha britanike ka fituar mbi 2 pikë në po të njëjtën periudhë duke u këmbyer me 113.37 lekë.
Eksperti i ekonomisë, Besart Kadia, thotë se kjo rritje e dollarit amerikan vjen pasi ai konsiderohet si një monedhë e sigurt dhe në këtë kohë krize njerëzit e përdorin më shumë.
Por luhatjet e çmimeve janë ndjerë edhe në pikat e karburanteve.
Koronavirusi ka prekur edhe çmimin e hidrokarbureve duke shënuar rënie me të paktën 10 lekë për litër.
Mes frikës që ka mbërthyer globin pas shpërthimit të koronavirusit, në treg kërkesa për naftë ka rënë ndjeshëm ndërsa çmimi për fuçi ka shënuar përgjysmim krahasuar me një muaj më parë.