Koronavirusi “pushton” botën, mbi 10 000 të vdekur . Zero të infektuar në Wuhan
Në të gjithë botën, mbi dhjetë mijë njerëz kanë vdekur për shkak të pandemisë Covid-19. Kjo është ajo që del nga bilanci i Universitetit John Hopking i cili bazohet në të dhënat e OBSH-së dhe burimeve të tjera, kurse numri total I të infektuarve në gjithë botën është rreth 250 000.
Wuhan, epiqendra e shpërthimit të pandemisë nga koronavirus nuk raportoi infeksione të reja për të dytën ditë me radhë.
Në të gjithë Kinën, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë njoftoi për 39 raste të tjera të infeksionit të importuar nga jashtë vendit dhe për 3 vdekje, përfshirë 2 në provincën e Hubei dhe një në provincën Liaoning.
Rastet e konfirmuara u rritën në 80.967 në total, përfshirë 6,569 pacientë ende nën trajtim mjekësor, 3,248 vdekje dhe 71.150 të shëruar ( 87.8%).
Gjithashtu janë regjistruar 228 raste të rikthimit të infeksionit. 730 pacientë dolën dje nga spitali ndërsa rastet e rënda të infeksionit ranë me 178 njësi, për një total prej 2.136.
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë ka sqaruar se 104 persona aktualisht janë nën vëzhgim për infeksion të dyshuar, ndërsa 8.989 janë ata që kanë rënë në kontakt të ngushtë me të infektuarit dhe për këtë arsye janë të monitoruar.