Koronavirusi, Shehu: “Kryeministri” ka “rënë”, Shqipërisë i duhet një Kryeministër!
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu deklaron se Shqipërisë i duhet një Kryeministër, pasi Edi Rama ka rënë tashmë si pasojë e keqmenaxhimit të pandemisë së koronavirusit që po përfapet çdo ditë e më frikshëm në popullsinë shqiptare. Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare, ish-deputeti i Partisë Demokratike thekson se realisht e funksionalisht Shqipëria në këto momente të vështira epidemiologjike e ekonomike është pa Kryeministër.
““Kryeministri” ka “rënë”, Shqipërisë i duhet një Kryeministër! Realisht e funksionalisht Shqipëria në këto momente të vështira epidemiologjike e ekonomike është pa Kryeministër. Kemi mjekë e personel shëndetësor, që prej Klinikës Infektive, Spitalit “Shefqet Ndroqi”, Qendrave Universitare e Spitalore, Kujdesit Parësor etj., që po punojnë me devocion në një situatë tejet të vështirë, duke rrezikuar edhe veten e tyre, por kemi dhe një Shtet pa Qeveri. Kemi një “Qeveri” që kur u kërkohet Strategjia paraqet një material teorik të periudhës Mars-Maj, të pa implementuar, që sot kur gjendja është shumë herë më e rëndë se atëherë, ajo ngel si “Strategjia e Dështimit”. Kemi një “Kryeministër” sot me amnezi për fjalën Covid, kur më parë improvizonte e terrorizonte kudo me atë. Kemi një “Kryeministër” peng i modeleve Lindore, që në këto momente të vështira kur duhej të bashkonte të gjitha kapacitetet e mundësitë e vendit, shpërthen “bombat” e konflikteve (edhe për të larguar vëmendjen nga realiteti) si së fundmi me të ashtuquajturat “Ndryshime Kushtetuese”, a s’i bëri pak më parë me Teatrin a Velipojën. Ndërsa ne na duhet sa më shpejt një Kryeministër që të komunikojë, të qetësojë, të organizojë, të bashkërendojë, të na afrojë me BE-në, e të kërkojë ndihmën e domosdoshme prej andej, etj,. Pra një Kryeministër i vërtetë, si p.sh Conte në Itali, a Mitsotakis në Greqi, që i shikon gjithmonë në aksione racionale e të suksesshme, që paraqiten edhe në prokurori, në një komunikim njerëzor me publikun. Në këto kushte ne jemi pa “Kryeministër” e pa Qeveri, në fakt edhe më keq se kaq. Duhet një zgjidhje urgjente, ndryshe….!!!”, shprehet në reagimin e tij, ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-deputet i PD-së, Tritan Shehu.