Koronavirusi/Tomini: 53 raste të testuara, të gjitha negative. Kemi shpërndarë 1.2 mln maska

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike, Eugena Tomini, pjesë e Task Forcës kundër koronavirusit, tha se 53 raste të testuara, të gjitha janë negative. Nga ana tjetër, duke i’u përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike, Tomini tha se janë shpërndarë 1.2 mln maska. Tomini u bëri apel të gjithë personave që kanë udhëtuar në vendet e prekura nga virusi që të izolohen për një periudhë 14-ditore.

Në një konferencë për mediat, gazetarët e pyetën Tominin rreth faktit që drejtoresha e qendrës shëndetësore numër 8 i shprehej personelit për mungesë të dorezave dhe dezinfektantëve. Por Tomini u përgjigj duke folur vetëm për maskat mbrojtëse, që në fakt nuk ishin me mungesë në këtë qendër. Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik tha se janë shpërndarë 1.2 milionë maska shëndetësore dhe nuk ka mungesë. “Ky element është i disponueshëm në të gjithë qendrat, dhe spitalet”, u shpreh Tomini.

Në audion që ishte një bisedë mes drejtoreshës së qendrës shëndetësore numër 8, Blerta Berberi dhe personelit mjekësor, del edhe një tjetër problematikë pasi mjekët ankohen se në orarin 16:00-20:00 nuk ka ujë dhe nuk ka as fuçi, kështu që u duhet t’i lajnë duart me bidonë.

SHKARKO APP