Korridoret e zbrazura të QSUT, Kalo: Betejën me Covid-19 nuk e kemi fituar. Mos nënvlerësoni rrezikun

Edhe pse shifrat nga Covid-19 kohët e fundit kanë rënë drastikisht shumë, me një foto nga korridoret e zbrazura të QSUT, mjeku Tritan Kalo bën thirrje që të mos nënvlerësohet rreziku i infektimit, pasi për të ende Shqipëria dhe bota nuk e ka fituar betejën me armikun e padukshëm. Ndër të tjera, Kalo shprehet se periudha më e vështirë e pandemisë ka kaluar, kjo falë vetëndërgjegjësimit të popullatës, punës dhe përkushtimit të stafit mjekësor si dhe të vaksinimit. Mjeku apelon që përkujdesja në këtë periudhë të vitit duhet të jetë maksimale, pasi ka shumë viruse të tjerë që qarkullojnë.

Statusi i plotë 

Kohë kovidiane….30.05.2021….

Një foto sot herët në mëngjes nga korridori i Urgjencës së Shërbimit të Sëmundjeve Infektive/Covid-1 në QSUT. Vetëndërgjegjësimi i popullatës, Puna, Përkushtimi, Profesionalizmi dhe Përkujdesja e stafit mjekësor si dhe Vaksinimi në vijimësi jo vetëm i grupeve të riskuara, pak nga pak po sjellin frytet e duhura në uljen e furisë së kësaj “flame mbarëbotërore”, Pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19. A e kemi fituar plotësisht këtë betejë me armikun e padukshëm? Ende jo.

Më e rëndësishmja është se e kemi kaluar periudhën më të vështirë dhe më të dhimbshme, të përplasjes me virusin jetëlëndues dhe jetëmarrës të Sars-Cov2/Covid-19. “Ditë më të mira pas kësaj do të vinë”. (N.F). Kur dhe sa të mundni për asnjë dekikë mos e nënvlerësoni rrezikun e infektimit. Çdo jetë Shqiptari është e shumëvlerë për të, për familjen, për shoqërinë dhe për tërë shqiptarinë.

Sars-Cov2 është një virus që pak nga pak do të “rreshtohet” në të ardhmen me sivëllezërit e tij më pak të rrezikshëm, dhe do të bashkëjetoj me shoqërinë njerëzore pas kësaj Pandemie në format sporadike të shfaqjes së tij, e cila është tashmë më mirë e informuar dhe e përgatitur për t’u përballur me të, si dhe fatmirësisht më e imunizuar aktivisht nga kalimi i sëmundjes apo vaksinimi ndaj këtij virusi.

Përkujdesja ndaj vetes dhe atyre që gjallojnë rreth nesh nuk duhet nënvlerësuar, sidomos në këtë stinë të vitit ku “gëlojnë” infeksione nga dhjetëra e dhjetëra viruse, bakterie, mykra e parazitë të tjerë. Mirëbesimi dhe mirëkuptimi mes nesh kurrë nuk duhet të mungojë edhe në vijimësi. Together forever!

SHKARKO APP