Korrigjimi i të dhënave të gjendjes civile, Lleshaj: Tashmë nga 1 deri në 7 ditë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Plarent Ndreca dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, zhvilloi një interpelancë me një grup qytetarësh, të interesuar drejtpërdrejt për çështjet, që kanë të bëjnë me korrigjimin e të dhënave të gjendjes civile të hedhura gabim në sistem gjatë transkriptimit.

Interesi kryesor i qytetarëve kishte të bënte me afatet dhe procedurat e korrigjimit të “gabimeve materiale” siç emërtohen, për të cilat Lleshaj ka nxjerrë një urdhër në gusht 2019, i cili përshpejton afatet dhe thjeshton procedurat e GJC për saktësimin e të dhënave dhe njëherësh lehtëson barrën e qytetarëve për të siguruar dokumente që provojnë identitetin e tyre real.

Deri më sot Drejtoria e Përgjithshme të Gjendjes Civile ishte i vetmi autoritet që mund të merrte vendime mbi këto problematika. Tashmë sipas urdhrit, një pjesë e vendimmarrjes bëhet në zyrat lokale, nga punonjësit e çdo zyre të gjendjes civile, sipas një procedure strikte dhe transparente, duke eliminuar çdo mundësi abuzimi të çfarëdo natyre. Qytetarët që kanë pasur probleme në marrjen e dokumenteve biometrike, për shkak të “gabimeve materiale” të tilla si emër, mbiemër, datëlindje, etj., tashmë kanë mundësi të bëjnë korrigjimet në një kohë shumë më të shpejtë dhe me procedura mjaft të thjeshtuara. Ky komunikim u zhvillua në formën e një interpelance nëpërmjet ekranit ku qytetarët parashtronin pyetjet konkrete, ndërsa përgjigjet jepeshin sipas rastit nga Ministri Lleshaj apo Drejtori i Gjendjes Civile Doracaj.

Kurse ministri Lleshaj, tha se: ”Për ta shkurtuar mund të them që nga dita e miratimit të udhëzimit e tutje, qytetarët nuk do të jenë të detyruar të bredhin për të kërkuar të dhëna dhe dokumente nëpër zyrat e shtetit, për të provuar saktësinë e emrit apo të dhënave të tjera në regjistrin e Gjendjes Civile, por këto do t’i bëjë vetë Gjendja Civile. Ndërkohë që është shkurtuar shumë dhe koha e përpunimit të shkresave. Dhe shumë vendime që dikur duhej merreshin në nivelin e lartë, pra në nivelin e drejtorit të përgjithshëm të Gjendjes Civile, sot merren nga përgjegjësi i zyrës përkatëse në njësinë administrative apo bashkinë përkatëse. Është një hap i vogël, me impakt jashtëzakonisht të madh”.

SHKARKO APP