Kosova dhe Serbia shkëmbejnë akuza në takimin e Këshillit të Sigurimit
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti të mërkurën takimin e rregullt për Kosovën. Në këtë takim, Kosova u përfaqësua nga Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ndërsa Serbia nga Ministri i saj i Jashtëm Marko Gjuriç.
Takimi vjen në një kohë kur procesi i dialogut i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka ngecur me mospajtime të thella mes të palëve dhe kritikave të Uashingtonit dhe Brukselit se Serbia dhe Kosova po shkelin detyrimet nga marrëveshjet dhe u kanë bërë thirrje të vazhdueshme të dy vendeve të heqin dorë nga veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në dialog.
Përballja e Kosovës dhe Serbisë para Këshillit të Sigurimit u karakterizua me akuza të ndërsjella dhe interpretime plotësisht të ndryshme të zhvillimeve në Kosovë.
Ministri i jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç tha se situata në Kosovë gjatë dy viteve të fundit ka shënuar përkeqësim për shkak të veprimeve të njëanshme të qeverisë së Kosovës, të cilën ai e akuzoi për krimin e një klime frike dhe mungese stabilitetit. Ai akuzoi autoritetet në Prishtinë se po refuzojnë të respektojnë marrëveshjen e Brukselit dhe nuk po krijojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë që veprimet e tilla të Kosovës janë një kundërshtim i drejtpërdrejt i Këshillit të Sigurimit dhe bashkësisë ndërkombëtare.
“Që nga kthimi i Kryeministrit Kurti në pushtet, qeveria e tij sistematikisht ka shtuar përpjekjet që synojnë izolimin dhe përjashtimin e komunitetit serb. Imagjinojeni sikur valuta juaj papritmas të ndalohet, që pensionet të hiqen dhe mbështetja sociale për serbët e Kosovës të ndërpritet. Këtu jemi sot. Kjo nuk është një situatë hipotetike. Ky është realiteti me të cilin serbët përballen sot në Kosovë”, deklaroi ministri Gjuriç.
Ndërkohë Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla i hodhi poshtë akuzat e ministrit serb si “gënjeshtra të çmendura” duke u bërë thirrje anëtarëve të Këshillit të mos u besojnë atyre.
Ajo mbrojti vendimet e Qeverisë së Kosovës duke thënë që asnjë shtet tjetër nuk do të pranonte që institucionet e jashtëligjshme të një shteti tjetër të lëshonin dokumente personale, ndërkohë që akuzoi Serbinë për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Ajo tha se Serbia po vazhdon të mbrojë pjesëtarët e sulmit të armatosur në Banjskë dhe akuzoi qeverinë e Serbisë se po luan rolin e aleates së Rusisë në rajon.
“Problemi për njerëzit e Vuçiçit nuk është Asociacioni. Ata e kanë problem vet ekzistencën tonë. Për ta Asociacioni nuk është mjet për të lehtësuar jetën e qytetarëve, është vetëm edhe një përpjekje për të shkëputur një pjesë të territorit të shtetit tonë, sikur që Putini ka bërë me Ukrainën. Ata nuk duan asgjë më pak se zhdukjen e Republikës së Kosovës”, deklaroi ministrja Gërvalla.
Përfaqësuesi amerikan, ambasadori Robert Wood, ndërkohë i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të rishqyrtojë mundësinë e mbylljes së misionit të OKB-së në Kosovë, të cilit tha ai i ka kaluar koha.
Përfaqësuesi amerikan kërkoi që këto takime të Këshillit të Sigurmit të zvogëlohen në një takim të vetëm vjetor që do të zhvillohej me dyer të mbyllura.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu thanë se Serbia “nuk ka bërë përparim të konsiderueshëm” në mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit paramilitar serb në Banjskë vitin e kaluar, përfshirë Milan Radojçiçin si dhe nxitën autoritetet serbe t’i vënë ata para përgjegjësisë.
Shtetet e Bashkuara po ashtu shprehën shqetësimin “për veprimet e pa bashkërenduara” të qeverisë së Kosovës që janë në kundërshtim me angazhimin e saj në procesin e dialogut.
Ambasadori Wood tha se procesi i dialogut mbetet rruga e vetme për të avancuar integrimin evropian të dyja vendeve dhe theksoi përkushtimin e Shteteve të bashkuara për të shtensionuar situatën në veri, për të parandaluar përshkallëzimet nga dyja palët dhe të kërkojnë nga palët zbatimin e marrëveshjeve, përfshirë krijimin e Asociacionit.
Qëllimi përfundimtar i Shteteve të Bashkuara mbetet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha zyrtari amerikan.
Ndërkaq ambasadori rus Vasily Nebenzya Rusia akuzoi autoritetet e Kosovës për këtë përshkallëzim për shkak të dëshirës së Prishtinës, siç tha ai, për të vendosur nën kontroll të plotë pjesën veriore të banuar me serbë krahas përkrahjes nga aleatët e tyre perëndimorë, që sipas përfaqësuesit rus përshkallëzuan tensionet në Kosovë./VOA/