Kosova: Na duhet humanizëm, punë dhe dinjitet

 

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me banorë të Selitës dhe të Don Boskos, me të cilët bisedoi për shqetësimet e tyre dhe për mundësitë që ai do të ofrojë për punësim dhe iniciativa që do të sjellin zhvillim.

“Ajo që unë shoh dhe konstatoj çdo ditë është që kjo qeveri jo vetëm që ka rritur shumë taksa dhe kosto në kurriz të qytetarit, duke i pakësuar të ardhurat që i ngelin në xhep, ka rënduar biznesin duke i pakësuar mundësinë e punësimit, por ajo që mua më tërheq vëmendjen është se nuk ka sensin e humanizmit karshi banorëve të saj. Unë jam për atë që edhe ligji të veprojë por dhe ana humane dhe njerëzore të jetë në pah në mënyrë që duke u kombinuar këto të dyja edhe zgjidhja për banorët e Tiranës edhe zgjidhja për organizimin e biznesit të jetë shumë shumë herë më e pranueshme”, tha Kosova.

“Mbas pranimit nga ana ime për ta vënë emrin dhe gjithë përvojën time, ndershmërinë time, deri tek thinja e fundit e bardhë në kokën time në dispozicionin tuaj, unë juve ju kërkoj edhe njëherë votën më datën 21 qershor, ilaçin më të mirë për të gjithë. Të tregojmë së bashku se ky vend nuk është vend i mallkuar, por i ka mundësitë të gjitha të bëhet me një ilaç të vetëm, njeriu i duhur në vendin e duhur dhe me provat e duhura”, tha Kosova.

“Njerëzit tanë ikin me valixhe dhe kanë marrë dhenë. Pra, Tirana dhe çdo njeri që voton në këtë rast, ka sfidën e vet me vetëdije me drejtuar sytë nga elita e vet, nga krijesa e vet më e mirë e këtij kombi, e këtij vendi. Ju uroj suksese dhe ju pafsha kryetar Bashkie”,thotë një qytetar.

“Unë do bëj që pas zgjedhjeve të 21 qershorit, i përkrahur nga Partia Demokratike dhe nga ekspertët më të mirë që kam përreth, që t’i zbrazin valixhet njerëzit, t’i varin rrobat aty ku ishin dhe t’i përvishemi punës si e vetmja mënyrë për të ecur përpara”, përgjigjet Kosova.

I pyetur për kundërshtarët, Kosova thotë se: “Ka dalë filani tha dhe të kërkon debat të hapur. Solla në mendje gjithë kandidatët, njëri ka kënduar nëpër dasma, se kam informacion dhe mirë debat, po mos më kërko të këndoj tek tjetri. Debatet i kanë ardhur në majë të hundës njerëzve, dhe të gjithë e kemi të qartë se ky vend nuk ka nevojë për debat për debate, ky vend ka nevojë për punë, punë e dinjitet”.

“Ma ke shpëtuar shpirtin dy herë. Ne do fitojmë, të gjithë do fitojmë sepse je njeri shumë i mirë se shpirtin na ke shpëtuar se kisha kaluar tri katër herë…. Sot jam 77 vjeçe kur ta mbarosh ti aty punën, ishallah vdes unë”, tregon mbështetjen një e moshuar.

“Unë do marr detyrën jo me vdekë njerëzit, por me i shpëtu jetën”, tha Halim Kosova.

SHKARKO APP