Kosova: Vëmendje të veçantë për familjet në nevojë

 

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, zhvilloi sot një bashkëbisedim me banorët e njësisë numër 2 në kryeqytet.

Duke prezantuar programin për investimet në këtë njësi, Kosova tha se do të rikonstruktohen rrugët dhe do të rregullohen trotuaret.

“Do tregojmë vëmendje të veçantë për familjet në nevojë. Do të rikonstruktojmë rrugët dhe do të rregullojmë trotuaret. Brenda vitit të parë do të shtroj 100 rrugë. Do të ketë ujë të pijshëm 24 orë. Nesër do të më kërkoni llogari për këto që po them. Do të vendosim këndë lojërash për fëmijët. Do të shtojmë sipërfaqet e gjelbra, si dhe do të vendosim kosha për mbeturinat. Po kështu do të ndërtojmë edhe terrene sportive. Punët do të përfundojnë brenda afatit”, tha Kosova.

Kandidati i së djathtës, ironizoi edhe kryeministrin Rama, duke u  shprehur se ka dy ditë që pret t’i japë kafe. “Kam dy ditë që s’kam futur kafe në gojë, duke pritur të më thotë Rama. Kam hall se më bëhen dy kafe njëra pas tjetrës. Edhe ai në brendësi e di të sigurtë se me mua do të bashkëpunojë. E di ai forcën time të ndryshimit dhe me ka vlerësuar dhe e kam vlerësuar gjithmonë. Ku ka më mirë për një kryeministër se të ketë një kryetar bashkie me provë, jo me llafe”, u shpreh Kosova. 

SHKARKO APP