Kotzias ndërpret vizitën në Tiranë
Ministri i Jashtëm grek, Nikolaos Kotzias ka mbyllur para kohe vizitën zyrtare në Tiranë, duke anuluar disa takime të parashikuara për ditën e enjte.
Anulimi i takimeve të parashikuara sipas agjendës së publikuar më herët, është konfirmuar nga zyra e shtypit e ambasadës greke në Tiranë.
“Ju kërkojmë ndjesë, por për shkak të largimit të parakohshëm të Ministrit të Jashtëm grek, N. Kotzias nga vendi, do të anulohen dy takimet e tij të parashikuara për nesër në Hotelin Sheraton”, thuhet në njoftimin e ambasadës greke.
Në njoftim nuk jepen arsyet e largimit të kryediplomatit grek, por besohet se shkak është bërë votimi në Parlamentin grek i marrëveshjes së arritur për çështjen e borxhit.
Marrëveshja do të hidhet për votim këtë të enjte.
Mbështetja e mundshme që kjo ujdi pritet të marrë nga opozita, përjashton surprizat, pavarësisht se shumë elementë nga vetë radhët e partisë së kryeministrit Tsipras kanë deklaruar votën kundër.