KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Vlorës, Saimir Smaka
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra edhe prokurorin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Saimir Smaka.
Gjatë seancës dëgjimore ne KPK prokurori u pyet dhe dha shpjegime lidhur me një kallëzim të kryer ndaj tij në SPAK për “korrupsion pasiv”, qëndrimin në hetimin e disa çështjeve dhe zvarritjet e procedimeve penale pa dhënë argumente.
Njoftimi i KPK:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 5.7.2021, për subjektin e rivlerësimit, z. Saimir Smaka, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, në datën 7.7.2021, vendosi:
Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Saimir Smaka, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Genta Tafa Bungo, z. Olsi Komici relator dhe znj.Suela Zhegu anëtare, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.