KPK shkarkon prokurorin e Tiranës, Julian Xhengo
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Tiranë, Julian Xengo. Xhengo është shkarkuar pas problemeve të rezultuara me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.
Xhengo u përball të premten më 9 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u përball me një bilanc negativ të prindërve në investimet e kryera në një shtëpi private në Tiranë si dhe me mospërputhjet në transaksionet për blerjen e një makine, thuajse dy herë më lirë nga sa e kishte blerë pala shitëse.
Xhengo kundërshtoi në seancë gjetjet e Komisionit për pasurinë, një raport negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar DSIK si dhe konstatimet për shtyrje të hetimeve dhe marrje të vendimeve jashtë afateve, pa kryer veprime hetimore.
Fillimisht, prokurori Xhengo dha shpjegime lidhur me rezultatet e hetimit për blerjen e një makine në vlerën 980 mijë lekë, disa javë pasi pala shitëse kishte shpenzuar për atë mjet në total rreth 1.7 milion lekë. Xhengo u shpreh se çmimi ishte dakordësuar për shkak të nevojës së palës shitëse për para, për shkak të gjendjes shëndetësore që kishte.
Por relatorja Shuli vërejti se në kontratën e shitblerjes ishte shënuar se kishte qenë pala shitëse që i kishte propozuar subjektit blerjen e këtij mjeti, dy ditë para se ajo ta blinte vetë. Nga hetimi ka rezultuar se pasi pala shitëse ka paguar për makinën shumën totale 1.7 milionë lekë, e ka nxjerrë në shitje për çmimin 1.2 milionë lekë dhe e ka shitur tek prokurori Xhengo për vlerën 980 mijë lekë. Sipas Shulit, subjekti ka deklaruar se nuk e ka vënë re në kontratë përcaktimin se mjeti i ishte propozuar për t’u blerë, dy ditë para se pala shitëse ta dispononte atë pasuri.
Shuli e pyeti subjektin në fund të seancës dëgjimore nëse ai e kishte lexuar ose jo kontratën. Xhengo u përgjigj se ishte fokusuar tek pala blerëse, shitësi dhe tek çmimi.
Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat e siguruara nga shitja e një mjeti dhe një kredi. Por nga verifikimi dokumentacionit të kredisë ka rezultuar se është përfituar për rregullimin e shtëpisë.