KPP anulon vendimin e Verdhos, ARRSH la në garë ofertën më të lartë për rrugën Kardhiq–Delvinë
Autoriteti Rrugor Shqiptar me në krye Ergys Verdhon është një nga institucionet për të cilin kompanitë ankohen më shumë në Komisionin e Prokurimit Publik.
Madje, shpeshherë ka qenë KPP ai që ka detyruar Verdhon të anulojë vendimet e marra pasi në to janë konstatuar parregullësi.
Një rast i tillë është edhe tenderi për Ndërtimin e Rrugës Kardhiq–Delvinë për Lotin e 7 me fond limit 2.3 miliardë lekë.
Për procedurën kanë shfaqur interes 6 kompani, pesë prej të cilave ARRSH i ka skualifikuar duke lënë në garë vetëm bashkimin e operatorëve “Ircop” S.p.a., “Sulova Ndërtim Prodhim”, ”Vega” & “A&E Engineering”me ofertën më të lartë.
Pas këtij vendimi “Gjoka Konstruksion”, “Cobial” sh.p.k., “JV “GR Albania” sh.p.k. & “Geoportal” me ofertën më të ulët kanë paraqitur ankesë duke kundërshtuar skualifikimin për dokumentacion jo të plotë dhe të saktë.
Madje, ata pretendojnë se koha e marrë në dispozion nga institucionin që drejton Verdho për vlerësimin e ofertave është e pamjaftueshme.
“Të 5 ofertuesit e skualifikuar janë bashkime operatorësh që do të thotë një volum i madh dokumentacioni për vlerësim përveç dokumentacionit të ofertuesit të kualifikuar. Brenda afatit 3 ditor të kryerjes së vlerësimit kemi bindjen se Autoriteti Kontraktor nuk ka kryer asnjë verifikim të dokumentacionit të paraqitur.”
Sërish, ARRSH ka kundërshtuar këto pretendime duke e detyruar subjektin ankimues t’i drejtohet KPP-së, i cili ka arritur në përfundim të ndryshëm.
“Autoriteti kontraktor në arsyen e skualifikimit të dhënë në sistemin e prokurimit publik, përveç faktit që vlerëson mbi një kriter të pakërkuar, ka dhënë një arsye skualifikimi të përgjithshme, të pa specifikuar dhe të padetajuar.”
Prandaj, ka kërkuar kualifikimin e kësaj kompanie, e cila më pas është shpallur dhe fituesja.
Fituesi i zgjedhur nga Verdho kishte ofertuar rreth 509 milionë lekë të reja pa TVSH më shumë se sa subjekti që ka bërë ankesën. /Ora News