KQZ çon për verifikim 12 kandidatë/ Kume: Skemë për të tërhequr vëmendjen e SHBA-së

Komisioni Qendror i Zgjedheve ka çuar për verifikim 12 kandidatë për deputetë. Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume deklaroi në ”Quo Vadis” se KQZ-ja po bën thjesht detyrën. Nga ana tjetër, ai nënvizoi se zbardhja e emrave u bë me qëllim për t’u thënë ndërkombëtarëve që po e trajtojnë këtë proces me seriozitet.

”Është një kërkesë e ligjit, por të veprohet kështu, më jep ndjesinë që më shumë se arritja e qëllimit, është përdorimi në funksion të interesit të garës që është duke u zhvilluar.

Dua të them që përpara ligjit, të gjithë kandidatët, kanë detyrimin, ose janë të ekspozuar përpara kontrollit të asaj që kanë deklaruar. Duhet t’i kontrollojnë të gjithë, pa na thënë se për kë është duke e bërë në mënyrë të thelluar. Të bëjë detyrën; nuk më lë shije të mirë që deklarohet se çfarë është duke bërë.

Që të gjithë kandidatët duhet të kalojnë në sitën e vërtetësisë së asaj që kanë deklaruar. Këtë e bëjnë për t’iu thënë ndërkombëtarëve, kryesisht SHBA, që ne po e trajtojmë këtë gjë me seriozitet”,-tha Kume.

SHKARKO APP