KQZ hap garën për 5200 identifikues, kushtet, detyrat, ku të aplikoni dhe shpërblimi
KQZ brenda 24 orëve do të hapë thirrjen për përzgjedhjen e 5200 personave të cilët do të përdorin pajisjet e identifikimit elektronik të votuesve (PEI). Ilirjan Celibashi tha se pajisja është shumë e thjeshtë për t’u përdorur.
“Cdo gjë do të jetë e shkruar shqip, nuk kërkon njohuri të thelluara, cdo kush që di të përdorë një telefon smartphone mund të përdorë më lehtë këtë pajisje. Nuk është e domosdoshme që ata që do të operojnë të kenë arsim të lartë, apo njohuri nga fusha e teknologjisë së informacionit” tha ai.
Por cilat janë kushtet dhe kërkesat për të qenë operator teknik? Kryetarja e Komisionit Rregullator në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjana Nano, i sqaroi nen për nen.
“Duhet të jetë zgjedhës, nuk duhet të ketë qenë dënuar, duhet të ketë arsim të mesëm, nuk ka qenë pjesë e administratës në dy vitet e fundit, nuk ka qenë anëtar partie në 3 vitet e fundit, nuk ka qenë i përfshirë në fushatë në 5 vitet e fundit, të ketë njohuri për pajisjen, të jetë gati për të shkuar edhe larg vendbanimit. Caktimi bëhet me short” thuhet draftin që u miratua.
Por pavarësisht se kriteri është arsimi i mesëm, në përzgjedhje do të ketë disa përparësi. “Studentët në Master, Bachelor, jo pjesë e administratës” thuhet në draftin e miratuar. Nëse shorti do ta vendosë larg vendbanimit, atëherë operatori voton në qendrën e votimit ku do të caktohet.
“Është parashikuar konkretisht votimi i operatorëve teknikë, pranë qendrës ku janë caktuar për të ofruar shërbimin”.
Kërkesa për të gjithë të interesuarit dorëzohet në faqen e KQZ-së ku do të ketë një hapësirë të veçantë. Nëse operatorët teknikë bëjnë deklarim të rremë të të dhënave do të mbajnë përgjegjësi penale ose administrative.
Pas aplikimit, personat e interesuar do të trajnohen dhe nëse nuk e kalojnë testin nuk do të caktohen. Pasi të kalojnë testin, operatorët duhet të caktohen në qendrat e votimit jo më vonë se 7 ditë përpara zgjedhjeve. Nëse ditën e zgjedhjeve operatori i caktuar mungon zëvendësohet nga një tjetër që do të jetë në gatishmëri.
Detyra e operatorit është paraqitja në orën 06:00 të mëngjesit në qendrën e votimit, vendosja në punë e pajisjes dhe aktivizimi në prani të komisionerëve. Operatori nuk ka rol vendimmarrës për të drejtën e zgjedhësit, por vetëm për të vendosur pajisjen në punë.
Neni i fundit, por jo nga rëndësia, ishte shpërblimi që do të marrin operatorët për punën, që do të jetë 9 mijë lekë dhe KQZ do të mbulojë transportin kur shorti e cakton larg vendbanimit.