KQZ-ja do kthejë Kurbinin dhe Vorën për rivotim

 

Zgjedhjet kanë përfunduar dhe po presin çertifikimin e KQZ. Përjashtim bëjnë dy zona problematike si Bashkia e Kurbinit dhe Bashkia e Vorës. Kurbini është ankimuar nga PD-ja, kurse sot ka ankimuar LSI për bashkinë e Vorës. Dhe të dyja janë pranuar nga KQZ për t’u shqyrtuar.

Pse KQZ do ti kthejë për rivotim të dyja këto bashki? Argumenti për bashkinë e Kurbinit është se nuk ka  patur konkurim real ditën e zgjedhjeve. Ishin zgjedhje me një kandidat si në kohën e komunizmit. Natyrisht zgjedhje nuk mund të quhen në Kurbin, sepse opozita e kishte tërhequr kandidatin e saj dhe emrin tjetër nuk kishte pranuar ta vendoste në fletë votimi KQZ. Mund të jetë një gabim i PD, porse përsëri zgjedhje nuk mund të quhen në Kurbin. Pra, shkurt: KQZ do vendos me logjikë se zgjedhjet duhen përsëritur dhe besoj se do të votojnë të gjithë anëtarët e KQZ, edhe të majtët, ndonëse Kurbinin e ka fituar PS.

Në Bashkinë e Vorës LSI ka ankimuar për disa qendra votimi. Në kërkesën e saj thuhet se duhet të shpallet i pavlefshëm votimin në disa Qendra Votimi në këtë bashki. Përpara datës së zgjedhjeve LSI kishte denoncuar transferimin në mënyrë fiktive të të paktën 600 qytetarëve në këtë bashki me qëllim që të votonin për kandidatin e PD, Fiqiri Ismaili, ndërkohë që këtë të fundit e ka akuzuar edhe për blerje të votave me para në dorë apo me thasë mielli.  Kandidati i PD, Fiqiri Ismaili fitoi me 230 vota më tepër në krahasim me kandidatin e ASHE të propozuar nga LSI, Luan Sallaku në zgjedhjet e mbajtura më 21 qershor.

Pra këtu flitet për votime të manipuluara dhe kodi Zgjedhor nuk e lejon një gjë të tillë. Pra ligjërisht KQZ ka të drejtë ti rikthejë votimet në bashkinë e Vorës.

Tani çfarë do të ndodhë? Bashkinë e Kurbinit duket se do ta fitojë PD dhe bashkinë e Vorës e merr LSI. Pse? E para nga pikëpamja psikologjike janë në disavanatazh kandidati i PS-së në Kurbin dhe kandidati i PD në Vorë. E dyta, LSI në këtë rast nuk do të falë më asnjë votë dhe e gjitha do turret në Vorë, edhe për prestigj. Nuk ka më PS apo bazë socialiste që do ta dredhë më si në Prezë, porse tufani “Rama-Meta” do të marrë përpara, natyrisht ligjërisht, kandidatin e opozitës. LSI do ta fitojë jo vetëm se ka kapur fakte për manipulime, porse këtë rradhë edhe se ka fituar kaq shumë vota në shkallë vendi, aqsa do të ndryshojnë shumë votues e do turren kah fituesi. Pra LSI e fiton bashkinë e Vorës sepse ia kanë vjedhur me vota të manipuluara, duke shtuar PD-ja 600 votues që nuk janë banorë të Vores. Se dhe diferenca ka dale me 230 vota.

Ndërsa në Kurbin PD-ja rimerr kalanë e saj të bastionit demokrat . Është si një marrëveshje e fshehtë mes PS-PD-LSI  kjo që do të ndodhë, ndonëse është krejt ligjore kerkesa e PD dhe e LSI.

PD-ja merr bastionin dhe ia lëshojnë vetë PS e LSI, kurse LSI merr Vorën edhe për prestigj, duke ia lenë në heshtje edhe PD,  ndërsa PS do të miklojë Metën në qejfmbetjen e madhe të 21 qershorit.

Të gjithë dalin të kënaqur nga kjo që do të ndodhë!

SHKARKO APP