KQZ miraton rregullat për regjistrimin e zgjedhësve jashtë Shqipërisë

Në Tiranë, Komisioni Rregullator i KQZ-së miratoi rregullat mbi regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë Shqipërisë dhe mbi përgatitjen e listës së zgjedhësve jashtë vendit. Kjo është hera e parë që mundësohet pjesëmarrja në zgjedhje e shtetasve shqiptarë, që jetojnë ose gjenden jashtë vendit ditën e votimeve. Jozyrtarisht vlerësohet se afro 1/3 e votuesve në listat zgjedhore janë në emigrim, ose jetojnë e studiojnë jashtë Shqipërisë.

Në vendimin e Rregullatorit të KQZ-së thuhet se çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë vendit në datën e zgjedhjeve dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës në zgjedhjet për Kuvendin nga atje ku ndodhet, duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.

Këtë regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit ai duhet ta kryejë me vullnetin e vet, duke plotësuar kushte ligjore si një votues nga jashtë territorit të Shqipërisë. Sapo ai regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, thuhet në vendim, atëherë ai çregjistrohet nga lista e zgjedhësve që votojnë brenda vendit.

Regjistrimi i zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit kryhet nga KQZ-ja. Zgjedhësi duhet të paraqesë një kërkesë individuale për tu përfshirë në listën e zgjedhësve nga jashtë pranë KQZ-së nga katër muaj para datës së zgjedhjeve deri dy muaj para kësaj date.

Për të bërë këtë kërkesë zgjedhësi duhet të hapë një llogari falas në Platformën Elektronike të Regjistrimit, e cila krijohet nga KQZ-ja, dhe që shkarkohet në celular dhe në kompjuter.

Në këtë platformë zgjedhësi duhet të ngarkojë, numrin personal të identifikimit, ditëlindjen dhe vendlindjen, fotografi, email dhe telefon. Ndërsa për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë ai duhet të ngarkojë në të një pasaportë të Shqipërisë si dhe një dokument që vërteton qëndrimin e tij jashtë vendit, si dhe adresën dhe numrin e banesës, me shtetin, kodin postar, qytetin, rrugën.

KQZ miraton ose jo kërkesën brenda pesë ditësh dhe pas saktësimeve, personi shtohet në listën e zgjedhësve nga jashtë. Kjo listë publikohet dy muaj para datës zdhjeve dhe ajo pritet të përdoret me përditësime në çdo palë zgjedhje të ardhshme për Kuvendin.

Lista e zgjedhësve nga jashtë vendit përmban: emërtimin e zonës zgjedhore, llojin dhe datën e zgjedhjeve.

Kjo është hera e parë që shteti shqiptar u krijon mundësinë e votimit atyre shtetasve që jetojnë ose gjenden jashtë vendit datën e zgjedhjeve. KQZ ka premtuar transparencë dhe thjeshtësi të procesit, efektivitet, githëpërfshirje dhe mundësi të barabarta, si dhe fshehtësinë e votës, siguri dhe mbrojtjen e votës së shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

Garantimi i kësaj të drejte kushtetuese në praktikë, sipas ekspertëve, u bë mëse i nevojshëm edhe prej faktit se një numër i konsiderueshëm qytetarësh, që gjenden në listat zgjedhore, janë në emigrim, jetojnë e studiojnë jashtë vendit, ndërsa në përmbyllje të proceseve zgjedhore ata formalisht rezultojnë sikur kanë refuzuar ose bojkotuar votimin.

Jozyrtarisht vlerësohet nga vëzhguesit se kjo pjesë e qytetarëve që nuk marrin pjesë në zgjedhje për shkak të emigrimit dhe jetës jashtë vendit, shkon deri në 1/3 e listës së përgjithshme të zgjedhësve.

SHKARKO APP