KQZ: Nuk ka shkak ligjor që kryetarit të Bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati
KQZ ka marrë vendimin për kryetarin e Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se shkelja ligjore nuk përbën shkak për të ndërprerë mandatin.
Çështja ndaj kryebashkiakut të Kuçovës u shqyrtua pasi Kreshnik Hajdari nuk ka deklaruar në formularin e Dekriminalizimit një dënim në vitin 1999 nga Gjykata e Janinës për kalim të paligjshëm të kufirit.
“Ne jemi para një fakti ku subjekti vetëdeklaruar tashmë kryetar i Bashkisë së Kuçovës ka paraqitur formularin e vetëdeklarimit. Në vlerësimin e tij, ai nuk ka paraqitur një të dhënë që lidhet me një proces penal apo administrativ në një kohë të caktuar të zhvilluar në territorin e Greqisë. Në vlerësimin e tij, kjo ka qenë e panevojshme për t’u deklaruar. Ajo që ka rëndësi është që kjo e dhënë nuk e përfshin atë në kushtet e ndalimit për shkak të veprës penale për të cilën e ka vendimin përkatës. Ngelet për t’u diskutuar pse ai nuk e ka deklaruar. Në çdo rrethanë ka pasur detyrimin për ta deklaruar. Edhe në respektim të precedentëve të krijuar nga ky institucion që prej vitit 2020, ne kemi mbajtur qëndrim që nuk ka detyrim subjekti vetëdeklarues për të paraqitur në formularin e vetëdeklarimit rrethana dhe shkaqe që nuk e ndalojnë atë të marrin drejtimin e institucioneve publike”, tha midis të tjerash kreu i KQZ.
“Ndaj vlerësoj që nuk ka një shkak ligjor që kryetari i Bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati”, nënvizoi Celibashi.