KQZ, Pelinku: Kemi vetëm 20% të fondit për teknologjinë
4 muaj përpara zgjedhjeve, qeveria ende nuk i ka dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve financimin e nevojshëm që ajo të blejë pajisjet teknologjike që do të përdoren në 25 prill.
Nënkomisionerja Lealba Pelinku, thotë për “ABC”, se pavarësisht kësaj, KQZ do të hapë tenderin.
“Akti normativ deri më tani ka siguruar 20 % të fondit që ne kemi vlerësuar si të nevojshëm. Por kjo na përligj nisjen e procedurave të prokurimit. Po të mos e kishim këtë fond, do të duhet të prisnim njohjen e kësaj vlere”, shprehet ajo.
Tenderi do të hapet brenda kësaj jave e KQZ ka njoftuar kompanitë e interesuara që të bëhen gati, ndërkohë i kërkon qeverisë të përdorë aktin normativ si instrument për të gjetur paratë nga buxheti i 2021-shit.
“Qeveria ka për detyrë ta financojë këtë proces. Instrumentet ligjore janë, siç ishte akti normativ tani, tha Peliku.
Pajisjet e blera do të jenë pronë e KQZ-së, ndaj Pelinku thotë se duhen marrë masat që ky proces të mos dështojë, pasi kompania gjithësesi do t’i marrë paratë.
“Është përgjegjësia e KQZ-së që të mos i shkelë afatet në raport me kontraktorin në mënyrë që të mos dështojë procesi”, shprehet më tej ajo.
Buxheti i deritanishëm për teknologjinë ka shkuar 27 milion euro, duke e bërë 25 prillin 4 herë më të shtrenjtë se çdo proces tjetër zgjedhor.
“Palët e kanë vlerësuar si një element të rëndësishëm për standardin zgjedhor. Nëse vendosim në peshore kostot, me efektin në proces, unë mendoj që kjo faturë justifikohet”, shton Pelinku.
Lealba Pelinku thotë se kjo faturë nuk duhet të paguhet për çdo palë zgjedhje.
“Këto pajisje do të përdoren për 4-5 palë zgjedhje, jo vetëm për 25 prillin”.
Qeveria ka dhënë vetëm 4 milionë euro nga 27 që KQZ kërkon për teknologjinë./abcnews.al/