KQZ po shkel ligjin, Gogo: Kandidatët e Bindjes Demokratike duhet të mbledhin firmat mbështetëse
Regjistrimi i kandidatëve të Bindjes Demokratike por dhe disa kandidatëve të pavarur, cilësohen në shkelje të kodit zgjedhor. Eksperti për çështjet zgjedhore Premto Gogo, thotë se KQZ po shkel ligjin duke cënuar rëndë standardet.
Organizmat që monitorojnë proceset por dhe ekspertët për çështjet zgjedhore, ngren alarmin për vendimet që po merr Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe Komisionet Zonale, kryesisht për regjistrimin e kandidatëve të pavarur, por dhe kandidatëve nga partitë e vogla.
Eksperti, Premto Gogo, nga koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, thotë se ky institucion po shmang kodin zgjedhor, duke favorizuar emra konkret.
Premto Gogo: Nuk mundet në asnjë rast të legjitimojnë asnjë prej subjekteve zgjedhore të hyjnë në garë pa siguruar lista mbështetëse. Vendimmarrja e sotme e KQZ-së në mënyrë absolute është e paligjshme pikërisht për këtë pjesë, sidomos në lidhje me Bindjen Demokratike është një fakt botërisht i ditur që është regjistruar në datën 25 prill. Ndërkohë që e vetmja mënyrë që Bindja Demokratike të mund të garojë në këtë zgjedhje është me lista mbështetëse.
Paligjshmëria e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe e Komisioneve Zonale, thotë Gogo, nuk mund të ankimohet as në Kolegj, duke sjellë sipas tij cënim të standardeve në proces.
Premto Gogo: Nuk legjitimohet askush nga subjektet për ta rrëzuar. Nisur nga kjo praktikë, edhe nëse këto kandidatura të paligjshme do të apelohen në Kolegjin Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor do ti rrëzojë dhe lërë në fuqi për hir të jolegjimitetit që do të ketë pala ankuese.
Në kushtet e një krize të thellë polike, vendimet e institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, sipas ekspertit Gogo, vetëm sa e përkeqësojnë situatën, duke u vënë në pikëpyetje për përdorim politik.
KOHA JONË SONDAZH

