KQZ-së iu deshën tre ditë të zbulojë sa shqiptarë votuan të dielën

Kreu i Komisionit Qëndror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 prillit është 46.32%. Tre ditë pas zgjedhjeve, Celibashi bëri të ditur shifrën zyrtare të pjesënmarrjes.

“Është mbyllur plotësisht procesi për partitë në lidhje me pjesëmarrjen shifrat janë këto: pjesëmarrje është 46.32% nga këto 47.6% është pjesëmarrja e grave dhe 52.34 % janë burra,” deklaroi Celibashi.

Në një konferencë për mediat, ai ka pranuar gjithashtu se janë hasur problematike në disa qendra numërimi.

“Ky proces ka shkuar sikurse janë përcaktuar rregullat në Kodin Zgjedhor, por janë raportuar problematika në disa vende të numërimit, ku anëtarët dhe komisionerë duket që nuk janë duke i ndjekur procedurat. Kemi dërguar në këto përfaqësues të KQZ që kanë komunikuar me anëtarët për të bërë qartësime te duhura në lidhje me procedurat që duhet të ndiqen.

Ne nuk do të lejojmë asnjë lloj transformim të votës nga një kandidat te tjetri. KQZ i disponon të gjitha filmimet. Dua t’i ftoj kandidatët të ndihen të qetë sepse ekzistojnë të gjithë mundësitë për numrin e votave që u përket secilit prej tyre,” deklaroi Celibashi.

SHKARKO APP