KQZ: Të drejtën për të regjistruar PD-në e ka Basha, 48 orë kohë për të plotësuar dokumentacionet

Pas një debati se kush nga dy grupet në PD ka të drejtën e regjistrimit për zgjedhjet lokale të 14 Majit, sot ka folur edhe KQZ-ja. Kryekomisioneri Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD-së bazuar në dokumentet zyrtare të cilat janë vënë në KQZ, e ka Lulzim Basha ai figuron kryetar i PD-së në pikëpamje të ligjit.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në fund të shqyrtimit të kësaj kërkese i la kohë prej 48 orësh palës së përfaqësuesit Indrit Sefa për dorëzimin e plotë të dokumentacionit autorizues në KQZ nga Lulzim Basha.

“Ka një mangësi tjetër që lidhet me detyrimin dhe përgjegjësinë personale e kryetarit të PD për të nënshkruar deklaratën. Jo çdo dokument mund të delegohet tek të tretë. Deklarata e kryetarit nuk është kompetencë, është përgjegjësi. Duke qenë përgjegjësi, është tërësisht personale. Duke e konkluduar gjithë këtë arsyetim, vlerësoj që dokumentacioni i paraqitur nga përfaqësuesi i Lulzim Bashës nuk është i plotë, ndaj do t’u jap 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara. Domosdoshmërisht për deklaratën e kryetarit të PD”,-tha Celibashi.

Por Celibashi tha se në perceptimin e tij, Berisha është kryetar i Partisë Demokratike. “Do ishte e dëmshme nëse KQZ do merrte këtë vendim, për sa kohë ka një dokument që tregon një fakt të caktuar. Unë mund ta pranoj se në perceptimin tim Berisha është kryetar i PD, por kjo nuk ndryshon në përputhje me ligjin se do duhet të marr në referim atë që një dokument zyrtar”.

Pra ajo që mungon është një dokument i rëndësishëm, deklarata e kryetarit të partisë me angazhimin për mos blerjen e votave. Deklarata njihet si një përgjegjësi e kryetarit të Partisë dhe si e tillë duhet plotësuar vetëm nga ai. Dokumenti sipas Celibashit duhet të firmoset vetëm nga kryetari i Partisë dhe është përgjegjësi që nuk mund të delegohet. Pra, Lulzim Basha duhet të kthehet si kryetar dhe të firmosë.

SHKARKO APP