“Krahasimi mes Valter Glos dhe të huajve që pushojnë me ministrat gojëmbël të Ramës”
Pedagogu Agron Gjekmarkaj, ka bërë një analizë për qëndrimin e Valter Glos në Shqipëri, i cili ka drejtuar për më shumë se 3 vite fondacionin Konrad Adenauer (KAS).
Sipas Gjekmarkajt, Glos është një tjetër lloj europiani që ka punuar në Shqipëri, shumë ndryshe nga ata që përtojnë t’i qesin zavallë vetes, teksa pushojnë fundjavave me zyrtarët e ministrat gojëmbël të Edi Ramës.
Analiza e Gjekmarkajt për gazetën Panorama:
Valter Glos është një lloj tjetër europiani që ka punuar në Shqipëri! Nuk ngjet me asnjë, as në të folur e as në fakte, ndonëse vjen nga një vend i madh si Gjermania e përfaqësues i një partie si CDU e kancelares Merkel!
Gjatë kohës së punës së tij në Tiranë në krye të fondacionit Konrad Adenauer, i njohur si KAS ai nuk shfaqi për asnjë çast prepotencë, nuk dha këshilla hyjnore, nuk u soll si star televiziv, nuk qe propagandist!
Shumë kolegë të tij diplomatë janë të cilët e shohin vendin tonë si skenën në të cilën mund të aktrojnë role madhështore! Glos kuptoi shpejt se ne si popull patëm një të kaluar diktatoriale tragjike për të cilën nuk u bë kurrë një katarsis! Gjithashtu i ardhur nga një vend që këtë përvojë e kishte pozitive, atë të krijimit të raportit etik me të kaluarën (rasti i Gjermanise lindore) kuptoi që dekumunistizimi në shoqërinë tonë ishte një proces i dështuar me sukses!
Po kaq të qartë, këtë e themi duke gjykuar aktet e tij dhe të KAS, e pat menjëherë se pushteti këtu ndër ne bëhet njësh me shtetin, duke marrë atributet e së drejtës, të së mirës nëpërmjet gjykimit absolut! Ndaj aq sa ja lejoji natyra e punës së tij, ju kundërvu harresës kolektive duke mbështetur me qindra aktivitete që ndërtojnë dhe nderojnë kujtesën e persekutimit komunist! Po kaq e vyer ka qenë puna për të trajnuar gazetarë e të rinj me kritere të demokracisë perëndimore në sfidë me mentalitetin neokomunist e korruptiv të tranzicionit!
Zakonisht të huajt në Tiranë bëhen palë me qeverinë! Ata ja përtojnë t’i qesin zavallë vetes, teksa pushojnë fundjavave me zyrtarët e ministrat gojëmbël të Edi Ramës, ndonëse shqiptarët ikin masivisht!
Valter Glos do të kujtohet edhe për thënien tanimë të famshme “Po ikën populli, po mbetet veç qeveria” ! Të bënte përshtypja sjellja e këtij gjermani, i cili fliste me përkorje e mesazhe të qarta! Po kaq mbresëlënës shfaqej në raport me fjalën, ishte thjesht trim! Asnjëherë snob, asnjëherë paragjykues, asnjëherë arrogant me shoqërinë shqiptare e plagët e saj, Valter Glos do të renditet tek ata të huaj që u shqiptarizuan si akt dashurie ndaj një vendi që shpesh, me e pa të drejtë, përqeshët e përbuzet! Këtu nuk nënkuptojmë kur ne vetë jemi shkak për të tilla sjellje! Teksa ai largohet nga vendi ynë, të vjen ndërmend që krahas Edit Durhamit, Kolonelit Tomson, Giuseppe Valentinit, Harry Fultz-it, e të tjerë europianëve e amerikaneve, të shtosh edhe emrin e Valter Glos, të cilët i dhanë Shqipërisë maksimumim e vet duke marrë mirënjohje nga shqiptarët !
Dikush mbase duhet t’ja tregojë këto pasardhësit të Glos, mbase Klaudja Zerva shqiptarja me në pah e këtij fondacioni ose te tjerë duke ja përmbledhur me pak fjalë! Valter Glos ishte këtu në vendin tonë, antikonformist , i vëmendshëm ndaj historisë sonë, i ndjeshëm ndaj aktualitetit, i dashur me njerëzit e në çdo rast kurajoz pa rënë në grackën që shpesh të huajt bien në vendin tonë, në atë të Zeusit që dënon të dobëtin dhe mbështet të fortin! Suksese në Turqi e ku do shkosh Zoti Glos! Tani eksperienca me Dishepullin e Erdoganit s’të mungon!
KOHA JONË SONDAZH

