Krasniqi në Bukuresht: Fokus te mbrojtja e të miturve dhe siguria online në epokën digjitale

Në Parlamentin e Rumanisë në Bukuresht po zhvillohet dita e dytë e Forumit të Komunikimeve Digjitale dhe Medias, organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Komunikimeve (IIC), ku janë diskutuar sfidat kryesore të rregullimit të hapësirës digjitale dhe mbrojtjes së përdoruesve online.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, (AMA) Armela Krasniqi, e cila ishte pjesë e panelit të dedikuar balancimit mes inovacionit teknologjik, të drejtave të konsumatorit dhe sigurisë në internet.

Në fjalën e saj, Krasniqi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e sfidave që sjell zhvillimi i platformave digjitale.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Bashkë me kolegen Mari Velsand nga rregullatori i Norvegjisë, përfaqësuesin e Netflix, Peter Matzneller, drejtorin e Shërbimeve Digjitale të Autoritetit rumun për Menaxhimin dhe Rregullimin në Komunikime, Călin Cozan, dhe nën moderimin e kryetares së rregullatorit të Barbados, Allyson Leacock, diskutuam mbi mbrojtjen e të miturve online, përgjegjësinë e platformave digjitale, trajtimin e përmbajtjeve të paligjshme, si edhe sfidat që sjell zbatimi i rregulloreve të reja”, u shpreh ajo.

Swiss Digital Mobile Reklama

Krasniqi nënvizoi gjithashtu se tregu digjital po ndryshon me shpejtësi dhe kërkon qasje të koordinuar mes rregullatorëve dhe platformave globale.

Në kuadër të forumit, ajo prezantoi edhe rezultatet e bashkëpunimit AMA–TikTok dhe AMA–X, duke evidentuar llojet e shkeljeve të përmbajtjeve të paligjshme të raportuara nga publiku shqiptar në këto platforma.

“Prezantova rezultatet e bashkëpunimit AMA–TikTok dhe AMA–X, si dhe llojet e shkeljeve që kemi hasur në përmbajtjet e paligjshme të raportuara nga publiku shqiptar”, theksoi Krasniqi gjatë diskutimit.

Ky aktivitet i rëndësishëm shënoi një hap domethënës në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes rregullatorëve të medias dhe platformave digjitale, duke vënë në qendër sfidat e sigurisë online, mbrojtjen e të miturve dhe përgjegjësinë e aktorëve globalë në një mjedis teknologjik që ndryshon me ritme të shpejta. Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për standarde të përbashkëta dhe koordinim më të ngushtë, në mënyrë që të garantohet një hapësirë digjitale më e sigurt dhe më e përgjegjshme për përdoruesit.

ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?