Krasniqi: Skenarët që do të zgjidhnin krizën politike

Analisti Afrim Krasniqi ka komentuar situatën aktuale politike në vend, por edhe ecurinë e reformës zgjedhore. Ai solli edhe disa skenarë, të cilët mund të jenë zgjidhje për krizën aktuale politike në Shqipëri. “Prisnim të gjithë që reforma zgjedhore të merrte një përgjigje, në çështjet kryesore që shqetësojnë opinionin publik. Fakti është që deri tani ai që quhet Këshilli Politik ka arritur kompromis për një agjendë dhe disa prioritete, por jemi ende larg një produkti konsensual ose një gjëje të shkruar. Palët politike u janë larguar temave të mëdha që mund të prekin sistemin, financimin elektoral dhe elementë të tjerë”,-tha në ”a2cnn”

Skenarët që do të zgjidhnin krizën

Ka disa skenarë që mund të zgjidhnin krizën politike. Një nga skenarët mund të ishte ai që u përdor në Maqedoni në vitin 2015, sipas të cilit opozitës iu rikthyen mandatet elektorale. Ky model mund të aplikohet edhe për rastin tonë.

Ka edhe skenarë që mund të kërkojnë një kompromis më afatgjatë. Pakti për Shqipërinë, për reformat kryesore që kërkohen me insistim nga faktorët ndërkombëtarë.

Ka pastaj edhe skenarë të tjerë që gati-gati i përjashtojnë liderët kryesorë politikë nga një vendimmarrje e ardhshme dhe krijojnë kabinete ose struktura vendimmarrëse më shumë teknike, për të cilat realisht ka nevojë Shqipëria.

Në të gjitha këto raste, në radhë të parë, kërkohet dialog. Fakti që askush nuk komunikon me askënd në mënyrë direkte, është shumë e vështirë për t’i çuar palët te sensi i arsyes.

SHKARKO APP