Krasniqi: Suksesi i PS, mobilizimi i votuesve të saj të përhershëm
Studiuesi Afrim Krasniqi tregoi çelësin e suksesit të PS-së në zgjedhjet e fundit, më 25 prill, aty ku Edi Rama fitoi mandatin e tretë qeverisës.
“Nëse shohim aspektin statistikor, PS-ja ka të njëjtin numër votash në dy zgjedhjet e fundit. Që do të thotë se Partia Socialiste e ka suksesin më të madh në mobilizimin e votuesve të saj të përhershëm. Ky është suksesi i PS-së dhe prandaj i ka fituar zgjedhjet me të njëjtin numër votash. Ndërkohë që opozita nuk ka arritur të rekuperojë humbjen që pati në vitin 2013 ose të krijojë një formulë midis aleatëve”, u shpreh Krasniqi.
Nga ana tjetër, sipas tij, opozita tregoi me ngjarjet e fundit brenda saj, se nuk ishte e përgatitur për zgjedhje.
“Ne kuptuam që opozita ishte tërësisht e papërgatitur për fushatën elektorale dhe zgjedhjet. Opozita, siç po e tregon koha sot, hyri në zgjedhje tërësisht e papërgatitur. Shpresa e tyre ishte vetëm në faktin se mandati i tretë nuk fitohet dot dhe njerëzit do të jenë lodhur me Partinë Socialiste. Gjithashtu, brezi i ri i votuesve, që duhet të sillnin frymë të re me votën e tyre, nuk u bindën për të shkuar në kutinë e votimit”.