Kredia, 2018 u mbyll në rënie – 18 mld lekë më pak krahasuar me një vit më parë

Portofoli i kredisë për ekonominë u zvogëlua edhe gjatë dhjetorit të kaluar, duke mbyllur një tjetër vit kalendarik në rënie. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar kredia kishte vlerën e 532.6 miliardë lekëve. Gjatë muajit dhjetor, portofoli i kredisë ra me dy miliardë lekë të tjera. Krahasuar me fundin e vitit 2017, portofoli i kredisë për ekonominë është tkurrur me afro 18 miliardë lekë ose 3.2%. Rënia i detyrohet pjesërisht efektit statistikor të mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit, që e ka ulur vlerën e konvertuar të kredisë në euro.

Gjithashtu, sidomos në muajt e fundit të vitit, ndikim jep edhe fshirja e kredive të humbura, sipas kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë, megjithëse ndikimi i këtij faktori vlerësohet të ketë qenë modest krahasuar me vitet e mëparshëm. Vetëm segmenti i individëve duket të ketë një rritje vjetore të qëndrueshme dhe të shëndetshme. Kreditimi i biznesit ngelet i brishtë. Edhe gjatë dhjetorit, kredia në këtë segment ra me 2.5 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me një vit më parë rënia është rreth 12 miliardë lekë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Megjithëse me të drejtë bankat po tentojnë ta diversifikojnë kreditimin në segmentin e shitjeve me pakicë, gjallërimi i kredisë për biznesin, sidomos për atë të madh, do të jetë i domosdoshëm për të rritur volume e huadhënies.

Swiss Digital Mobile Reklama

Totali i kredisë për ekonominë sot është në vlera të përafërta me fundin e vitit 2011. Gjatë shtatë viteve të fundit, kredia ka regjistruar vetëm rënie ose stanjacion. Në terma realë, kredia sot vlerësohet në rreth 32% të PBB-së, nga rreth 42% që zinte në vitin 2011. Megjithë uljen e raportit të kredive me probleme dhe një gjallërim të aktivitetit ekonomik, sërish kreditimi i biznesit është i dobët.

Vrojtimet e kryera nga banka qendrore tregojnë se bankat vazhdojnë të jenë konservatore në kredidhënie, sidomos kur bëhet fjalë për shuma të mëdha. Oferta më e shtrënguar për kredi lidhet edhe me ndryshimet strukturore brenda sistemit bankar. Disa banka të rëndësishme kanë qenë në procesin e shitjes së aksioneve dhe natyrisht që nuk kanë qenë të fokusuara te rritja.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?