Kredia sovrane, bizneseve u kufizohen mundësitë për pagat e punonjësve
“Sot kam firmosur me të gjitha bankat dhe mundësia që ajo të vihet në efiçencë ekziston që nesër” deklaroi Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, në “Tempora” në Rtv Ora.
Por ndryshe thuhet dhe ndryshe procedohet duke vënë në rrezik pagat e mijëra shqiptarëve.
Në vendimin e qeverisë thuhet se do të mbështeten ato subjekte që janë mbyllur ose që janë ndikuar në në uljen e xhiros për shkak të bllokimit prej koronavirusit.
Në fakt verifikimi i situatës së likuiditetit realizohet në mënyrë të çuditshme.
Ministria e Financave mësohet se u ka kërkuar bankave që xhiro të konsiderojnë FDP të muajve janar-mars, madje duke i krahasuar me një vit më parë.
Në fakt ky proces konfirmon xhiron e pritshme, dhe jo arkëtimet që ka një subjekt.
E në rast se ka firmosje të tilla, kredia sovrane që shërben për rrogat e punonjësve nuk jepet.
Në fakt xhiro e një biznesi verifikohet thjesht përmes shlyerjeve në llogaritë bankare, ku prej një viti kompanitë kanë hasur vështirësi.
Aq më shumë që në VKM-në e publikuar një element i tillë përmendet shkarazi, duke e lënë edhe më të paqartë se përse qeveria ka zgjedhur këtë mënyrë veprimi.
Megjithatë zbulimi i një elementi të tillë ka vënë në alarm bizneset.
Por aq më shumë që refuzimi përmes një skeme të padrejtë do të sjellë mungesën e pagave për mijëra punonjës në Shqipëri, duke u pasuar dhe me një situatë emergjence për familjet që presin rrogat.
Ndaj Ministrisë i kërkohet ndryshimi i strategjisë dhe verifikimi i xhiros faktike dhe jo përmes deklarimeve, shlyerjet e të cilave janë bllokuar për shkak të mungesës së likuiditetit.
/Ora News