Kreditë me probleme ulen në 5.65% në fund të vitit 2021, niveli më i ulët nga nëntori 2008

Raporti i kredive me probleme shënoi përsëri rënie në muajin dhjetor dhe e mbylli vitin 2021 në nivelin 5.65%.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, ky është niveli më i ulët të raportit të kredive me probleme qysh prej nëntorit të vitit 2008.

Për vitin kalendarik 2021, raporti i kredive me probleme shënoi një rënie me afërisht dy pikë e gjysëm përqindje. Vlerësohet se në fund të vitit 2021 sektori bankar shqiptare kishte afërsisht 40 miliardë lekë ose 330 milionë euro kredi të këqija.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në vitin e parë të pandemisë, raporti i kredive me probleme rezistoi në nivele të qëndrueshme, edhe falë masave administrative për menaxhimin e situatës, siç ishin shtyrja e pagesave apo ristrukturimi i kredive, pa përkeqësuar statusin e huamarrësit. Ndërsa gjatë vitit 2021, rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e cilësisë së portofolit të bankave.

Swiss Digital Mobile Reklama

Treguesi kredive me probleme po shënon një ulje të qëndrueshme që prej vitit 2016, kur pati arritur pikun pranë nivelet të 25%. Një ndikim përcaktues në këtë rënie fillimisht pati rregullorja e Bankës së Shqipërisë që detyronte bankat të nxirrnin jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Në fillim të vitit 2020, ky afat u shkurtua më tej në dy vjet. Gjatë periudhës janar 2015 – qershor 2021, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 70 miliardë lekë kredi të humbura.

Në pjesën dërrmuese këto fshirje i takojnë viteve të para të miratimit të rregullores, ndërsa gjatë vitit të kaluar shifrat vlerësohet se kanë qenë mjaft të ulëta. Megjithatë, duke qenë se procesi i fshirjes së kreidve kryhet sidomos para mbylljes së bilancit vjetor, edhe ky faktor mund të ketë pasur një lloj ndikimi në uljen e raportit të kredive me probleme për muajin dhjetor.

Në dy vitet e fundit, ndikim pozitiv në uljen e raportit të kredive me probleme po jep sidomos zmadhimi i portofolit total të kredisë, i lidhur edhe me ecurinë pozitive të kredidhënies së re. Në fund të muajit nëntor 2021, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 658.5 miliardë lekë, në rritje vjetore me 10.5%.

Në 11 muaj, bankat disbursuan rreth 223 miliardë lekë kredi të reja, 9.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe afërsisht 4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në rritjen progresive të vjetore të kredisë për vitin 2021 kontributi kryesor ka ardhur nga individët, ku kredia e re është rritur me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja ka ardhur sidomos nga kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme, ku huadhënia vitin e kaluar arriti nivelet më të larta historike.

Rritja e kreditimit dhe ulja e raportit të kreidve me probleme po jep një efekt pozitiv edhe në rezultatet financiare të sektorit bankar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 11-mujorin 2021, fitimi neto arriti vlerën e rreth 19.15 miliardë lekëve, me rritje prej 33.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pakësimi i kredive të këqija ka një ndikim shumë të rëndësishëm në rezultatet financiare, sepse sjell më pak shpenzime në formën e provigjioneve, duke e ndikuar pozitivisht përfitueshmërinë e bankave./ Monitor

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?