Kreshnik Çollaku: Mercenarët kishin lista me emra deputetësh që duheshin linçuar brenda godinës
Deputeti i PD, Kreshnik Çollaku, thotë se në protestën e 8 janarit para selisë së partisë, mes turmës ka qarkulluar një listë me emra deputetësh që duhet të dhunoheshin. Duke publikuar në llogarinë e tij në facebook një pjesë nga fjala që ka mbajtur një natë më parë në mbledhjen e kryesisë së PD, Çollaku thotë se dhunuesit dhe të dhunuarit nuk mund të rrinë më bashkë.
“Më dukej e pamundur që njerëz që kishim kaluar një jetë, kishim punuar në rrethana të ndryshme, të mos linin mënjanë inatet e të mos gjenin arsye për të ndalur këtë përrua inati”, thotë Çollaku. “Brenda vetes shpresoja, por po ashtu brenda vetes kisha përcaktuar një vijë të kuqe. Vija e kuqe do të ishte dhuna dhe përdorimi i saj. Ajo që ndodhi më 8 janar ishte kalimi i kësaj vije të kuqe. Më 8 janar, më vjen trup ta them dhe është mjerim ta them, por ish-miq e bashkëpunëtorët tanë, drejtuan një sulm fizik kundër nesh. A e dini se brenda turmës në vijën e parë të mercenarëve të paguar që shqyenin dyert kanë qarkulluar lista me emra të veçantë deputetësh që duhet të linçoheshin fizikisht brenda godinës? Pra rrezik ka qenë jo vetëm godina, por dhe jeta e disave këtu brenda. Ndaj unë mendoj që me këdo që nxiti apo përdori dhunë ndaj nesh, nuk ka çfarë na mban më bashkë. Në këtë parti, dhunuesit dhe të dhunuarit nuk mund të rrinë me bashkë”.
Në këtë mbledhje, kryesia e PD-së mori vendim për të përjashtuar përgjithmonë nga partia, Sali Berishën, Flamur Nokën, Edmond Spahon, Albana Vokshin, Bujar Nishanin, Arben Ristanin, Grigels Muçollarin, Keltis Krujën dhe Klevis Balliun, ndërsa kishte pezulluar 19 anëtarë të tjerë të partisë, mes tyre disa deputetë, si Tritan Shehun, Oerd Bylykbashin, Belind Këlliçin, etj.