Kreshnik Spahiu: Pse në Shqipërinë “demokratike”, 32 vjet ka më shumë vrasje se Kosova gjatë luftës?
Nga Kreshnik Spahiu
Pyetjes pse Shqipëria ka më shumë vrasje se Kosova, disa do e logjikonin pokitikisht duke u përgjigjur: Shqipëria ka shtet më të dobët, se Kosova. Por kjo nuk është 100% e saktë, sepse shqiptarët e Shqipërisë kryejnë vrasje jo vetëm në Shqipëri. Sipas një studimi që kam kryer 5 vitet e fundit, 87% e vrasjeve që janë kryer nga shqiptarët në Europë janë nga Shqipëria, ndërsa 13% janë pjesa e mbetur nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva.
Pra shqiptarët e Shqipërisë shfaqin agresivitetin e tyre njësoj si brenda Shqipërisë, ku shteti është i dobët, po ashtu dhe jashtë kufijve ku shteti dhe qeveritë janë të forta (Gjermani, Itali, Hollandë, Angli, Francë, Belgjikë, Spanjë). Vrasje kryejnë si ata që kanë 3 ditë në emigracion, por edhe ata që kanë 30-vjet atje.
Po pse një komb i ndarë në pesë pjesë ka filluar të shfaqë karakteristika tipare të ndryshme sociale? Ka disa faktorë që ndikojnë:
– politikë
– socialë
– ekonomikë
– juridikë
120-vite të ndarë në sisteme dhe regjime të ndryshme kanë deformuar karakterin dhe tiparet e përbashkëta. Shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë janë më pak të shkolluar, por janë shumë më të edukuar, të sjellshēm dhe më puntorë. Sistemi komunist, 45-vite në Shqipëri e shkatërroi pronën private dhe asimiloi shumë vlera sociale.
Tentativa komuniste për të krijuar njeriun e ri ishte një dështim total. Pjesërisht krijuan një monstër. Aq larg shkoi marrëzia, sa u shpallëm vendi i parë ateist në botë. Familja shqiptare nuk i mbijetoi dot tranzicionit post-komunist. Mjafton t’i referohesh vrasjeve brenda familjes në Shqipëri dhe të kuptosh se kemi të bëjmë me një “luftë” brenda Shqipërisë. Shqiptarët e Shqipërisë po përjetojnë një çerek shekulli depresion.
Më shumē probleme psiqike kanë shqiptarët e Shqipërisë që kanë jetuar në paqe, sesa shqiptarët e Kosovës që dolën nga lufta, genicidi, shfarosja, përdhunimet etj. Tiparet kriminale dhe tipologjia e vrasjeve në Shqipëri i përngjan kryesisht vrasjeve barbare që kryehen në Meksikë, Guatemalë, Brazil apo El Salvator, por me një ndryshim. Në Amerikën Latine, kryesisht bandat e kanë një motiv vrasjeje, që është pasurimi nëpërmjet grabitjeve, pengmarrjeve, gjobave etj. Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë vrasin pa motiv:
– për një parking
– për një shikim shtrembër
– për një dashnore
– për një karikues celulari
– për një rubinetë çezme
– për një çadër plazhi
– për një radhë biletash
– për një volum muzike
– për një koment në Facebook
Për të gjitha këto arsye, një ekspert i kriminalistikës në Hamburg do i krahasonte vrasësit e shqiptarëve të Shqipërisë, njësoj me elementë kriminalë nga Çeçenia, të cilët kryjenë vepra penale pa motive. Natyrisht, në këtë histori, pjesën e përgjegjësisë e ka shteti, policia, prokuroria dhe gjykatat, për rastet e vrasjeve në Shqipëri. Rrugët e Shqipërisë janë mbushur plot rrugaçë dhe halabakë. Kjo kategori duhet frenuar që në embrion, në të kundërt ata marrin krahë dhe mburren pas disa vitesh në vrasës.
Një shtet i fortë e nuhat me erë ata individë që kanëprirje kriminale. Kërbaçi i shtetit fillon pa mbërritur te vrasja. Gjithsesi, kriza që po kalon Shqipëria këto 32-vite, padyshim i përngjan një lufte. Shqipëria “demokratike” ka sot më shumë të vrarë se Kosova e luftës me Serbinë. Në Kosovë gjatë luftës u vranë 10.782 shqiptarë. Në Shqipërinë demokratike janë vrarë 2-fish. Në Kosovë gjatë gjithë vitit 2022 janë vrarë vetëm 13 persona.
A na e kanë fajin ne në Shqipëri qeveritë që kemi votuar apo trutë e kokës që luftojmë me njëri-tjetrin? Përgjigjen merreni duke krahasuar shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve nën regjimin juridik dhe politok të qeverive që s’kanë votuar. Këtu kam parasysh subjektet e veprave penale. Çuditërisht ata sillen njësoj me pistoletë në mes Londrës, sikur janë në Fushë-Krujë!