Kreu AEJ dega Shqipëri zgjidhet të drejtojë AEJ në nivel ndërkombëtar!

Themeluesi i AEJ Albania, Arbër Hitaj u zgjodh president i përgjithshëm i Shoqatës Europiane të Gazetarëve. Vendimi unanim i ka dhënë atij drejtimin e kësaj shoqate prestigjioze, gjatë Asamblesë së 62-të të Shoqatës, e cila u zhvillua në Romë dhe mblodhi përfaqësues nga 20 vende të Europës. Në një reagim publik, Hitaj shprehu falënderime të thella për mbështetjen ndërkombëtare.

”Me një vendim unanim, Asambleja e 62 e Shoqatës së Gazetarëve Europian që u mbajt në Romë, me zgjodhi si Presidentin e saj të ri, duke më dhënë mundësinë të jem zëri dhe imazhi i qindra gazetarëve në 20 vende të Europës. Një kënaqësi shumë e madhe personale dhe padyshim vlerësim për Shqipërinë dhe punën që kemi zhvilluar për të mbrojtur gazetarët. Kjo është hera e parë dhe besoj jo e fundit, që një gazetar shqiptar do të drejtojë një nga shoqatat më të vjetra në Europë për median. Kam vetëm falënderime për miqtë ndërkombëtarë për besimin. Mbrojtja e lirisë së medias është një sfidë që ngjason me një maratonë, duhet përditë të hedhësh hapa konstant e të sigurt”, shkruan gazetari Hitaj.

Shqipëria nderohet me një tjetër zgjedhje atë të zv.presidentit Qamil Xhani, si anëtar komisionit të auditit një organ mbikqyrës i rëndësishëm në organizatë. Shoqata e Gazetarëve Europian, e themeluar për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve dhe për të garantuar lirinë e shprehjes, ka një rol thelbësor në adresimin e sfidave me të cilat përballet media sot.

SHKARKO APP