Kreu i Antiterrorit, Nano: 30 familje janë ende në kampin famëkeq, nuk janë bashkëpunues
Kreu i Antiterrorit shqiptar, Gledis Nano ishte i pranishëm në punën dhe riatdhesimin e 5 grave shqiptare dhe 14 fëmijëve shqiptarë nga “Al Hol”, i cili tha se janë edhe 30 familjarë të tjerë që kanë mbetur në kamp. Sipas tij, ata ende nuk janë identifikuar dhe po punohet për rikthimin e tyre.
“Është punuar që në operacionin e kaluar, janë identifikuar persona në kampin Al hol dhe janë transferuar në kampin Roj, ku ka më tepër kushte për të jetuar. Kjo u realizua herën e kaluar dhe operacioni ka qenë në vijim pa asnjë ndërprerje që kur u nisëm për të kryer operacionin e dytë. Vështirësitë janë për shkak se ISIS ka ende prezencë në terren. Këta familjarë, fëmijë dhe gra nuk lejohen të riatdhesohen se duhet të qëndrojnë aty. Në kuptim të bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rajon, ka pasur lehtësira se marrëdhëniet janë më të ngushta”.
Sa i përket bashkëshortëve të grave që mbërritën sot në Shqipëri, Nano tha se një pjesë e tyre janë në burg, të tjerë të fshehur në terren ndërsa për të tjerë dyshohet të kenë vdekur në luftime. “Po punojmë në atë drejtim dhe disa persona ndodhen në burg në Sirinë verilindore, një pjesë e tyre janë larguar dhe janë fshehur në terren ndërsa për një pjesë ka dyshime të kenë humbur jetën nga luftimet”.
Për operacionin e radhës, ai tha se janë rreth 30 persona që pritet të riatdhesohen. “Ne do të vazhdojmë punën tonë me të gjithë personat që rikthehen. Sot 19 persona vijnë nga kampi Roj që më parë kanë qenë në Al-Hol. Janë rreth 30 persona të tjerë, pjesa më e madhe është në kampin Al-Hol dhe nuk janë aspak bashkëpunues”.