Kreu i Bashkisë së Matit vijon detyrën, Gjata: KQZ u zhyt në zullum
Të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendosi me 5 vota që ta konfirmojë në detyrë kreun e Bashkisë së Matit, Agron Malajn, duke u zotuar se nuk ndodhet në kushtet e ndalimit. Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata, tha se KQZ u zhyt në zullum dhe se vendimi është një shkelje e hapur.
“Këta kryebashkiakë janë njerëzit e Edi Ramës, të cilët vijnë nga bota kriminale, të kapur peng dhe do të bëjnë se çfarë thotë Rama. Kur ka raste të tilla, krijohen ligje, kushtetuta. Nuk mund të luftojmë me Malajm, problemi është te institucionet që nuk zbatojnë ligjin. Rilindja e Ramës e mbushi administratën, bashkitë me kriminelë dhe u detyrua të ndërmerrej një nga reformat më serioze, ajo e ligjit të dekriminalizimit. Kjo është fitorja më e madhe e PD-së në këto 7 vite, ligji i dekriminalizimit. E vetmja tolerancë që nuk ëhstë ligjore është Edi Rama. KQZ aktuale është në ikje dhe zbaton urdhrat e Edi Ramës. Ndodhi pak a shumë si me dekretin e Presidentit për zgjedhjet lokale që janë nul. KQZ nuk është Gjykatë Kushtetuese. Tashmë, KQZ u zhyt më keq në zullumin e vet. Ai ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje. Ligji i dekriminalizimit e kap, ndërsa këta e rikonfimuan në detyrë në mënyrë antikushtetuese, antiligjore. Prandaj, kjo është vepër penale, shpërdorim detyre. Është shkelje e hapur. Ne po mbajmë një qëndrim tepër moral, institucional dhe kushtetues. Pse PD nuk futi kriminelë në parlament, por vetëm Edi Rama? Madje, edhe kur e morëm vesh se kishim persona të inkriminuar, menjëherë u larguan dhe iu la Edi Ramës të fitonte pa kundërshtarë, vetëm që ne të mos fusnim persona të inkriminuar. Ky është qëndrimi moral dhe për këtë kemi nevojë sot”,tha në A2.
Agron Malaj është kryebashkiaku i pestë socialist, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, që Partia Demokratike ka denoncuar për fshehje të së shkuarës kriminale.