Kreu i bashkisë së Shkodrës, Spahia: Vëmendje të veçantë zhvillimit të sporteve
Kryetari i bashkisë Shkodër, dhe kandidat i koalicionit ”Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia ka zhvilluar këtë të premte një takim me emra të spikatur të ngjyrave kuqeblu, ekipit të futbollit të Vllaznisë. Gjatë takimit me ta, Spahia prezantoi programin e tij për 4 vitet në vazhdim të drejtimit të bashkisë Shkodër, ku vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes dhe zhvillimit të sporteve.
Gjithashtu Spahia tha se një tjetër pikë e programit është mbulimi i tarifës së fushave sportive për ndeshjet zyrtare që luhen në Shkodër, rritja e trajtimit dhe shpërblimit për sportistët elitarë, ekipet kampionë si dhe të trajnerëve të tyre, rritje e mbështetjes financiare për 15 shoqatat sportive ekzistuese dhe zgjerim të disiplinave dhe shoqatave të reja të nivelit profesionist, kosto zero dhe mbështetje me logjistiken e nevojshme, për zhvillimin e çdo kampionati kombëtar dhe ndërkombëtar në infrastrukturat tona sportive.
”Do të ofrohet e gjithë infrastruktura jonë sportive me kosto zero në shërbim të departamentit të edukimit fizik dhe sportit për mësimdhënie dhe gara të ndryshme universitare. Lehtësim për mbështetjen e studentëve, sportistë cilësorë, për përfitim të bursave në mbulimin e tarifës së shkollimit”,-tha Spahia.
Spahia premtoi edhe dyer të hapura për studentët e këtij fakulteti në rritjen e kompetencave të tyre dhe shkëmbimin e eksperiencave për zhvillimin e sportit.