Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda: Mos na e shkrini institucionin

Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni ka shprehur rezervat e tij për draftin e reformës në drejtësi, duke thënë se ekspertët janë kundër shkrirjes së Gjykatës së Krimeve të Rënda, me pretendimin se kjo krijon pasiguri tek gjyqtarët aktualë.

Këtë deklaratë ai e ka bërë gjatë analizës së punës së këtij institucioni në vitin 2015 ku ka shtuar se kësaj gjykate duhet t’i shtohen edhe më shumë kompetencat.

“Kemi ankesat tona në lidhje me draftin që prek Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pse duhet të shkrihen krimet kur mund të shtohen kompetencat. A mund të zgjidhet kjo pa shkrirë krimet? Unë mendoj se, si e formuluar drafti krijon pasiguri tek gjyqtarët aktual. Këta gjyqtarë kanë gjykuar grupe e organizata kriminale, ata ndjehen të pasigurt nëqoftëse shkrihet Gjykata”, ka thënë Simoni.

Në të njëjtën linjë me kreun e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ka qenë edhe Fehmi Petku, kreu i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, i cili ka shtuar se komandimi i gjyqtarëve krijon pasiguri tek ata.

“Shkrirja e kësaj gjykate është e padrejtë. Gjyqtarët e kësaj gjykate duhet të trajtohen me përparësi, duke na komanduar të gjykojmë nëpër rrethe ne na cënohet siguria. Udhëtojmë me automjete që fiken 7 herë në rrugë nga Tirana-Gjirokastër, kjo e papërshtatshme për gjyqtarët e krimeve që kanë status të veçantë sigurie”, ka thënë ai.

SHKARKO APP