Kreu i KQZ-së flet për votën e emigrantëve: Nuk ka rrezik dështimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se nuk ka asnjë rrezik që vota e diasporës në zgjedhjet parlamentare të dështojë. Në një komunikim me gazetarët, kryekomisioneri Celibashi thotë se ky proces nuk po shkon drejt dështimit, por shton se ka disa problematika që duhet të adresohen.
“Procesi i votimit nga jashtë nuk është në rrezik. Ka zero rrezik, nuk po shkon drejt dështimit. Ky proces sot nuk është në rrezik. Ka problematika të cilat ne do të duhet t’i adresojmë, por me siguri që do të ketë një zgjidhje. Është shumë e rëndësishme që të ulemi me maturi dhe të diskutojmë, nuk ka vlerë asnjë lloj qasje tjetër. Nuk kam arsye të mendoj që qeveria apo opozita kanë qëllime të tjera. Nga ato çfarë thonë, duket që ka interes të njëjtë nga të gjitha palët që ky proces të realizohet”, tha Celibashi.
Celibashi ka informuar partitë se kompanitë e shërbimit postar kërkojnë 30-45 ditë kohë për vajtje-ardhjen e fletës së votimit të emigrantëve. Prandaj ai shtron çështjen e zgjatjes së afatit përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. E nëse kjo nuk realizohet, Celibashi thotë se gjithsesi do të realizojnë votën e emigrantëve, duke thënë se vota mund të vijë edhe me vonesë, një gjë të tillë e parashikon edhe ligji.