Kreu i OBSH-së: Pandemia përfundon kur bota vendos t’i japë fund

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se bota ka ende një rrugë të gjatë derisa të arrijë momenti kur mund të shpallet e përfunduar pandemia e COVID-19.

Kemi pothuajse 50.000 vdekje në javë bazuar vetëm në shifrat e raportuara. Pandemia është larg përfundimit”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në Samitin Botëror të Shëndetit në Berlin më 24 tetor.

Sipas tij është në duart e njerëzimit për t’i dhënë fund pandemisë.

Ne kemi të gjitha mjetet e shëndetit publik që na duhen, por bota nuk i ka përdorur mirë”, tha ai, duke shtuar se pandemia do të përfundojë atëherë kur bota do të zgjedhë t’i japë fund asaj.

Kreu i OBSH-së sërish përsëriti thirrjen për shpërndarje më të drejtë të vaksinave kundër COVID-19.

Ai tha se vendet që kanë arritur tashmë shkallën prej 40 për qind të vaksinimit, përfshirë gjitha vendet e G20-ës, duhet që t’iu lënë rradhën e furnizimit vendeve të varfra.

Ai shtoi se prodhuesit e vaksinave duhet të vendosin në përparësi dhe të përmbushin kontratat e tyre me COVAX (program botëror për shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra) dhe furnizimin në vendet e Afrikës.

Ka kohë që OBSH-ja po u bënë thirrje prodhuesve të vaksinave që të heqin dorë nga pronësia intelektuale në mënyrë që më shumë vende të fillojnë prodhimin e vaksinave.

Pengesa nuk është prodhimi, por politika dhe përfitimi”, tha Ghebreyesus.

Pandemia u shpall në fillim të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në shkallë globale janë infektuar mbi 240 milionë njerëz. Prej tyre, rreth 5 milionë kanë vdekur./ REL

SHKARKO APP