Kreu i Shtetit, Meta: Grushti i shtetit do të shtypet nga grushti i popullit, sepse është më i fortë!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka folur me tone të ashpra dhe mesazhe të qarta drejtuar qeverisë së Edi Ramës.

Që në fillim Meta sulmoi ballazi dhe fort kryeministrin Rama duke thënë se “Asnjë i sëmurë mendor, apo i marrosur pas pushtetit të pamerituar dhe të vjedhur nuk duhet t’i shkojë mendja se Presidenti i këtij vendi mund të frikësohet, intimidohet, dhe dekurajohet të përmbushë misionin historik”

Kreu i Shtetit u shpreh se ishte pro listave të hapura me 100 % në zgjedhjet e 25 prillit.

Duke iu referuar ndryshimeve të njëanshme të Kushtetutës për reformën zgjedhore si dhe shkeljen e çdo marrëveshje nga Edi Rama, Presidenti shtoi se kjo situatë është e ngjashme me një grusht shteti, por grushti i shtetit do të shtypet nga grusht i popullit, sepse është më fortë, tha Meta.

“Kërkoj t’i qendrojmë marrëveshjes së arritur në 5 qershor, të mos devijojmë asnjë milimetër, të mos përdorim gjoja lista të hapura për të prishur marrëveshjen. Përshëndes opozitën që ka qenë e hapur për lista 100% të hapura. Në rast se mazhoranca nuk dëshiron të hapë listat e saj, s’ka pse pengon forcat e tjera të hapin listat. Nëse kemi një shkelje të njëanshme si me rastin e ndryshimeve kushtetuese atëherë është e qartë që kemi tentativë për grusht shteti, por grushti i shtetit do të shtypet nga grusht i popullit. E dini mirë se është më i madh grushti i popullit!

Për zgjedhjet, për mua kanë rëndësi vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vendosje e legjitimitetit në vend, kjo është një kërkesë ultimative për një të ardhme të qetë, me prosperitet për shqiptarët që janë lodhur, përçarë kaq shumë dhe po largohen më shumë nga vendi,- u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti Ilir Meta paralajmëroi kryeministrin Edi Rama, teksa e krahasoi situatën politike në vend me një pengmarrje në autobus. Meta tha para gazetarëve se të gjithë e dinë fatin e pengmarrësit, kur ai nuk pranon të vendosë kontakte dhe të shpëtojë pengjet.

Me tone të forta, Kreu i Shtetit tha se nuk do të sakrifikohet e ardhmja evropiane e Shqipërisë as për kokën e Ilir Metës, as për kokën e Edi Ramës apo të Lulzim Bashës. “Qëndrimet e Presidentit kanë qenë të gjitha të qarta, se çfarë do të bëjë mazhoranca, është puna e saj dhe unë s’i pengoj dot të bëjnë vendime të marra. Por që vendi të merret peng dhe e ardhmja evropiane të merret peng për shkak të një bande oligarkësh, banditësh, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Kam qenë dhe kryeministër dhe jam ndeshur me situata të vështira. Ju e dini që kur një person merr peng një autobus, përpiqesh të vendosësh me të një kontakt që të shpëtojnë të gjithë, edhe qytetarët, por edhe pengu mos të ketë fat të keq. Por kur rrezikohen të gjithë qytetarët, pastaj merren vendime të forta dhe askush nuk do ta ketë fajin, nëse do të ketë të zgjedhur që për fatin e tij të sakrifikohet populli.

Nuk do të sakrifikohet e ardhmja evropiane e Shqipërisë as për kokën e Metës, as të Ramës apo Bashës, Shqipëria ka qenë përpara nesh dhe do të mbijetojë sërish. Nuk do të ketë lojëra, nuk do të ketë më as marrëveshje kundër zgjedhjeve, është vetëm marrëveshja e 5 qershorit, dhe e vetmja gjë që i shtohet është hapja e listave 100%. Tani do të iki në Dibër, në vendlindjen e Elez Isufit, që gjithë jetën e tij luftoi kundër gjithë pushtuesve dhe ta dinë të gjithë që ky është një vend që pas 25 prillit do iu takojë gjithë qytetarëve shqiptarë dhe kurrsesi një kaste të papërgjegjshme”– theksoi Meta.

Meta iu përgjigj interesit të gazetarëve sa i takon pr/ligjit të ndërmarrë nga maxhoranca për kompetencat e Presidentit të Republikës.

“Nuk ka ligj antikushtetues nga një parlament jo kushtetues që pengon Presidentin të përmbushë misionin e tij kryesor në mbrojtje të kushtetutës në mbrojtje të pluralizmit politik, në mbrojtje të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Maxhoranca e ka provuar me Presidentin 3-0. Sa herë ka vajtuar në Venecia, pavarësësisht nga lobimi që ka bërë, pavarësisht nga miliardat që ka shpenzuar lart e poshtë. Mos e kthejë në betejë me Presidentin sepse ky është presidenti i popullit të 2marsit.

Nuk është president as i LSI dhe as i opozitës dhe populli është aty është shtuar edhe prap kërkon shpërndarjen. Po unë them këtë punë ta zgjidhim më 25 prill në mënyrë paqësore, qytetare. Duan të më shkarkojnë ta provojnë, të vijnë këtu, kush i pengoi. Presidenti ka respektuar kushtetutën jo grushtin e shtetit. Nuk trembet më njeri në këtë vend, tremben vetëm të tremburit” u shpreh Meta.

Në lidhje me Marrëveshjen për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, Numri Një i Shtetit tha se” “Lidhur me çështjen, që është mjaft sensitive prej 12 vitesh mes Shqipërisë dhe Greqisë, është një problem mjaft i ndjeshëm edhe brenda vendit për vetë historinë, presidenti ka qenë gjithmonë koherent dhe bashkëpunues me qeverinë tonë, me institucionet tona, pasi ne të gjithë përfaqësojmë një palë në fund të fundit. I kam plotësuar të gjitha detyrimet dhe kam qenë shumë bashkëpunues me qeverinë. Prej gati 20 ditësh kemi dërguar një kërkesë zyrtare në përmbushje të detyrimeve, ende nuk kemi përgjigje. Jam i duruar. Kemi shkruar dhe më parë kërkesa, por nuk kemi marrë përgjigje. Asnjë nuk luan me një çështje të tillë, apo me cështje të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me Greqinë.

Qëndrimi i Presidentit është koherent, i qartë dhe parimor, në raport me të gjithë. Pavarësisht mistrecllëqeve, qëndrimi i presidentit ka qenë shumë i qartë. Nuk ka pasur asnjë rast, kur ka pas mungesë bashkëpunimi nga presidenti. Presidenti nuk ka qëndrime të dyfishte apo të trefishta, por vetëm një qëndrim, që çështja të zgjidhet sa më shpejt dhe të jetë çështje besimi mes dy vendeve, jo të minojë këtë marrëdhënie përmes qëndrimeve të pasinqerta, që ndryshojnë në vazhdimësi, sipas konjukturave të çastit, sepse miqësia është mjaft e rëndësishme të zhvillohet dhe forcohet”.

Një temë tjetër e nxehtë lidhet me ligjin për median ose paketa antishpifje e synuar nga Edi Rama.  Ilir Meta kërkoi nga Kuvendi që të rishikojë ligjin antishpifje që po synon ta risjellë për votim në seancë.  Edhe për mediat audivizive sipas dekretit të rikthimit në Kuvend që ishte në përputhje me opinionin e Venecias.

“Thirrja e djeshme e raporterit drejtuar qeverisë, është kambanë që duhet dëgjuar mirë. Mazhoranca ka detyrimin për të krijuar ambientin për të gjithë aktorët. Siç ka dhe detyrimin për zgjedhje të lira e të ndershme siç e rekomandon OSBE.”- nënvizoi Presidenti Meta.

SHKARKO APP